Udhëheqësi i partisë opozitare turke, partisë së Lëvizjes Nacionaliste (MHP), Devlet Bahçeli, ka deklaruar se anëtarësimi në Bashkimin Evropian (BE) nuk ishte një çështje e identitetit apo ekzistencës për Turqinë.
Bahçeli tha se BE-ja i kishte mbyllur plotësisht dyert e saj për Turqinë duke shtuar se “ky realitet duhet parë”.
“Është një detyrim për të dhënë përgjigjen e nevojshme për BE-në duke treguar një qëndrim kombëtar”, u shpreh Bahçeli.
Komentet e kreut të opozitës turke vijnë pas Samitit të djeshëm të Turqisë dhe BE-së, i mbajtur në Varna të Bullgarisë nën udhëheqjen e presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, presidentit të Këshillit Evropian, Donald Tusk dhe presidentit të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.
Në një konferencë të përbashkët për media, presidenti Erdoğan tha se do të ishte një “gabim i rëndë” për Evropën për ta shtyrë Turqinë jashtë politikës së saj të zgjerimit.
Bahçeli sugjeroi se BE-ja nuk ka qenë e hapur gjatë negociatave me Turqinë.
“Anëtarësimi në BE nuk është një identitet, një çështje e ekzistencës së Turqisë. (Procesi i anëtarësimit të Turqisë në BE) mund të përfundojë, kjo nuk është fundi i botës”, tha Bahçeli.
Turqia aplikoi për anëtarësimin në BE në vitin 1987 ndërsa bisedimet e pranimit filluan në vitin 2005.
Megjithatë, negociatat u zvarritën në vitin 2007 për shkak të kundërshtimeve të administratës greko-qiproite në ishullin e ndarë të Qipros si dhe kundërshtimit nga Gjermania dhe Franca.
Për të fituar anëtarësimin, Turqia duhet të përfundojë me sukses negociatat mbi 35 kapituj politik që përfshijnë reforma dhe miratimin e standardeve evropiane.
Që nga muaji maj i vitit 2016, gjithsej 16 kapituj u hapën dhe njëri u mbyll. Megjithatë, në dhjetor të vitit 2016, shtetet anëtare thanë se nuk do të hapen kapituj të ri.


