
Ministria e Mbrojtjes e Turqisë ka njoftuar se trupat turke dhe ruse realizuan patrullimin e 15-të të përbashkët tokësor në veri të Sirisë në kuadër të marrëveshjes së dakorduar midis dy vendeve muajin e kaluar.
Ministria turke në një deklaratë tha se patrullimi i 15-të i përbashkët tokësor midis njësive turke dhe ruse në rajonin Ras Al Ayn-Qamishli është shoqëruar me nga katër automjete.
Patrullimi është zhvilluar gjashtë kilometra nga kufiri turk brenda territorit sirian dhe është përfshirë në një sipërfaqe me gjatësi prej 48 kilometrash.
Patrullimi i parë tokësor i përbashkët u realizua më 1 nëntor dhe u zhvillua 40 kilometra në lindje të qytetit Ras al-Ayn dhe 30 kilometra në perëndim të qytetit Qamishli.
Më 9 tetor, Turqia nisi operacionin “Burimi i Paqes” për të eliminuar terroristët e YPG/PKK-së nga veriu i Sirisë në mënyrë që të sigurojë kufijtë e saj, të ndihmojë kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe të garantojë integritetin territorial të Sirisë.
Ankaraja kërkon që organizata terroriste YPG/PKK të tërhiqet nga rajoni në mënyrë që të mund të krijohet një zonë e sigurt për t’i hapur rrugë kthimit të sigurt të rreth dy milionë refugjatëve.
Më 22 tetor, Ankaraja dhe Moska arritën një marrëveshje e cila parashikonte që terroristët e YPG/PKK-së të tërhiqen rreth 30 kilometra në jug të kufirit të Turqisë me Sirinë, kurse forcat e sigurisë nga Turqia dhe Rusia të kryejnë patrullime të përbashkëta.
Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë njerëzve, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG-ja është dega siriane e PKK-së.


