Turqia do t’i përgjigjet çdo ngacmimi grek të anijes së saj kërkimore sizmike Oruç Reis në Mesdheun Lindor, paralajmëroi ministri i Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu.
“Greqia duhet të shmangë politikat maksimaliste në rajon”, tha Çavuşoğlu në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij zviceran Ignazio Cassis në Bern.
Paralajmërimi erdhi në të njëjtën ditë me një takim të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së përmes videolidhjes me kërkesë të Athinës për çështjen e Mesdheut Lindor.
“Greqia duhet të sillet me mendje të shëndoshë. Greqia do të marrë përgjigje nëse bën përpjekje për të provokuar anijen tonë Oruç Reis”, tha shefi i diplomacisë turke.
Lidhur me deklaratën e Francës se do të rrisë praninë e saj ushtarake në rajon, Çavuşoğlu tha: “Franca duhet të distancohet nga çdo hap që do të krijonte tensione në Mesdheun Lindor”.
Franca ka mbështetur përpjekjet e Greqisë për të hyrë në territorin detar të Ankarasë bazuar në ishuj të vegjël grekë afër brigjeve turke, duke shkelur interesat e Turqisë, vendit me vijën më të gjatë bregdetare në Mesdhe.
“Ne jemi gjithmonë në favor të zgjidhjes së të gjitha problemeve përmes dialogut dhe zgjidhjeve paqësore”, tha Çavuşoğlu, duke përsëritur këmbënguljen e Ankarasë për një zgjidhje të favorshme për të gjitha palët bazuar në ndarjen e drejtë.
Këtë të hënë, Turqia njoftoi se anija e saj kërkimore Oruç Reis do të fillojë të kryejë kërkime të energjisë në Mesdheun Lindor.
Vendimi i Turqisë erdhi pas një marrëveshjeje të diskutueshme demarkimi të nënshkruar midis Greqisë dhe Egjiptit, duke shpërfillur gjestin e mëparshëm të vullnetit të mirë të Turqisë për të pezulluar kërkimet e energjisë në rajon.
Anija do të vazhdojë punën e saj në Mesdheun Lindor së bashku me anijet Cengiz Han dhe Ataman deri më 23 gusht.


