Turqia është e gatshme të fillojë mësimin nga distanca pasi mësimet shkollore në internet dhe ato transmetuese janë planifikuar të fillojnë më 23 mars si pjesë e masave kundër koronavirusit, deklaroi sot ministri i Arsimit Kombëtar të Turqisë, Ziya Selçuk, (AA).
“Të gjitha ekipet dhe përmbajtja janë të gatshme. Xhirimet janë të kompletuara”, tha ministri Selçuk në panelin editorial të AA-së në Ankara.
“Mësimet do të fillojnë më 23 mars, në orën 09:00 të mëngjesit, sipas kohës lokale dhe do të jenë 20 minuta secila në vend të orëve të rregullta 40-minutëshe”, tha Selçuk.
Mësimet do të transmetohen kryesisht përmes kanaleve televizive më shumë se një herë gjatë gjithë ditës, për shkak të problemve të mundshme me rrjetin e internetit.
“Mësimet që do t’i transmetojmë në televizion do të jenë gjithashtu të lidhura me temat e mëparshme me ligjërata ballë për ballë”, shtoi Selçuk.
“Mësuesit tanë përgatitën vullnetarisht mësimet dhe lëndët e nevojshme në televizion. Mësuesit tanë punojnë në grupe të vogla në qendra të caktuara, studio dhe shkolla, si dhe më pas do të bëhen transmetime të testit”, tha Selçuk.
Ai theksoi se Turqia ishte një nga vendet e pakta që zbaton arsimin nga distanca në nivel kombëtar.
Që kur u zbulua për herë të parë në Wuhan të Kinës në dhjetor të vitit të kalaur, koronavirusi ka marrë 8.810 jetë njerëzish në të gjithë botën, shumica në Kinë, tregojnë të dhënat e publikuara nga Universiteti “Johns Hopkins” (JHU).
Të paktën 218.827 raste të virusit janë konfirmuar në të paktën 160 vende dhe territore, ku sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Evropa është epiqendra e re e pandemisë.
Megjithë numrin në rritje të rasteve, shumica e personave që infektohen dhe që vuajnë nga simptoma të buta shërohen.


