Turqia i kërkon botës të njohë Palestinën

Mos i humb

Zv/kryetari i Parlamentit të Turqisë, Ahmet Aydin, tha se Turqia është gati të bëjë pjesën e saj për të zgjidhur çështjen e vazhdueshme të Palestinës.

Duke folur në Ramallah, ku sot Këshilli Kombëtar i Palestinës rifilloi aktivitetet e tij, Aydin e quajti vendimin e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, për të njohur Kudsin si kryeqytet të Izraelit si një “shkelje të të drejtës ndërkombëtare dhe të ndërgjegjes globale”.

Ai poashtu akuzoi administratën amerikane për dështim në përfaqësimin e një ndërmjetësi neutral. “Ne duhet të insistojmë në krijimin e një shteti palestinez të lirë dhe sovran të bazuar në kufijtë e vitit 1967 me Kudsin si kryeqytet. Kjo është mënyra e vetme e mundshme për të arritur paqen”, pohoi Aydin.

Duke përmendur propozimet e fundit të presidentit palestinez, Mahmoud Abbas, për të krijuar një “platformë ndërkombëtare” për promovimin e paqes në Lindjen e Mesme, ai shtoi se, “Turqia është e gatshme të bëjë pjesën e saj”.

Duke theksuar se deri më tani 137 vende e kanë njohur Palestinën, Aydın tha se “kjo nuk është e mjaftueshme”. “U kërkoj atyre vendeve që ende nuk e njohin Palestinën. ‘Nëse jo tani, kur?’ Është koha që shteti palestinez të njihet”, tha ai.

Duke iu referuar reduktimit të fundit të ndihmës së SHBA-ve ndaj Autoritetit Palestinez, Aydin këmbënguli se Turqia do të vazhdojë t’u japë palestinezëve mbështetje financiare.

Siç bëri të ditur Aydın, Turqia ka në plan të kontribuojë me Agjencinë e Ndihmës dhe Punës së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët e Palestinës (UNRWA) me 10 milionë dollarë, ndërsa presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, së shpejti do të pranojë komisionerin e përgjithshëm të UNRWA-së për të diskutuar rritjen e ndihmës turke në Palestinë.

Ai poashtu vuri në dukje se Kudsi Lindor ishte njohur si kryeqytet palestinez gjatë një takimi të fundit të Organizatës për Bashkëpunim Islamik të mbajtur në Stamboll.

Kudsi mbetet në qendër të konfliktit prej disa dekadave të gjata të Lindjes së Mesme, me palestinezët që shpresojnë se Kudsi Lindor, i pushtuar nga Izraeli që nga viti 1967, përfundimisht të shërbejë si kryeqytet i një shteti të pavarur palestinez.

Dhjetorin e kaluar, presidenti Trump shkaktoi kundërshtime dhe protesta nga e gjithë bota arabe dhe muslimane pas njoftimit të vendimit të tij për të njohur Kudsin si kryeqytet të Izraelit./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit