Turqia, Rusia dhe Irani takohen para raundit të dhjetë të bisedimeve për Sirinë

Mos i humb

 

Zyrtarë nga Turqia, Rusia dhe Irani janë duke mbajtur bisedime teknike në Soçi të Rusisë para raundit të dhjetë të bisedimeve të paqes për Sirinë në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, i cili është paraparë të mbahet më 31 korrik.

Në bisedimet në Astana do të diskutohet situata e fundit në zonat e deeskalimit në Idlib të Sirisë, kthimi i refugjatëve, lirimi i të burgosurve dhe formimi i një komiteti që do të rishkruajë kushtetutën e Sirisë.

Zyrtarët e OKB-së dhe Jordania janë duke marrë pjesë në bisedimet e sotme si vëzhgues ndërkohë që SHBA sërish nuk dërgoi përfaqësues.

Grupi kryesor i opozitës siriane përfaqësohet nga Ahmed Tuma, ish-kryeministër i qeverisë së përkohëshme siriane, ndërsa regjimi nga Bashar Jaafari, përfaqësuesi i përhershëm i regjimit në OKB.

Gjatë raundit të nëntë të Astanës, të mbajtur më 14-15 maj, palët kishin rënë dakord të ruanin zonat e deeskalimit dhe regjimin e armëpushimit.

Megjithatë, forcat e Asadit dhe aleatët e tij morën kontrollin e zonave të deeskalimit në Homs, Dera dhe Kunejtra pas një ofensive të madhe.

Javën e kaluar, regjimi filloi të tubojë forcat në jugperëndim të Idlibit në përpjekje për të sulmuar Malin Turkmen, rajon malor në veriperëndim të Sirisë, i cili po ashtu është pjesë e zonave të deeskalimit.

Idlibi do të jetë çështje e rëndësishme gjatë takimit të ardhshëm në Astana, pasi delegacioni turk pritet të theksojë rëndësinë e ruajtjes së regjimit të armëpushimit në rajon.

Nga ana tjetër, Rusia për herë të parë pritet që gjatë takimit të aktualizojë çështjen e kthimit të refugjatëve dhe personave të zhvendosur.

Zyrtarë rusë kanë vizituar së fundmi Turqinë, Jordaninë dhe Libanin, vende këto që strehojnë numrin më të madh të refugjatëve të Sirisë.

I dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura, pritet të takohet me zyrtarët turq, rusë dhe iranianë për formimin e një komiteti kushtetues.

Regjimi dhe opozita i kanë dorëzuar secili de Misturas një listë prej 50 kandidatësh për t’i përfaqësuar ata në komitetin kushtetues.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit