Ministrat e Jashtëm të Turqisë, Rusisë dhe Katarit theksuan vendosmërinë e tyre për të qëndruar kundër axhendave separatiste në Siri, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pas takimit trepalësh të kryediplomatëve të vendeve Turqi-Rusi-Katar në kryeqytetin e Katarit, Doha, u publikua deklarata e përbashkët me shkrim.
Në deklaratë u theksua se ministrat e Jashtëm të Katarit, Turqisë dhe Rusisë janë takuar në Doha për të trajtuar konfliktin sirian dhe mënyrat e bashkëpunimit që do të kontribuojë në gjetjen e zgjidhjes së përhershme politike për konfliktin.
Në deklaratën ku është theksuar angazhimi për mbrojtjen e sovranitetit, pavarësisë, unitetit dhe integritetit territorial të Sirisë në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara (OKB), është potencuar se nuk mund të sillet zgjidhje ushtarake për konfliktin sirian.
“Theksohet vendosmëria për të luftuar terrorizmin në të gjitha format dhe manifestimet e tij”
Në deklaratë më tej është përsëritur angazhimi për avancimin e procesit politik nën lehtësimin e OKB-së për të mbështetur palët siriane në arritjen e zgjidhjes në përputhje me Rezolutën 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Deklaratës së Gjenevës të vitit 2012.
“(Ministrat) Theksuan vendosmërinë e tyre për të luftuar kundër terrorizmit në të gjitha format dhe manifestimet e tij dhe për të qëndruar kundër axhendave separatiste që do të dëmtonin sigurinë kombëtare të vendeve fqinje si dhe sovranitetin dhe integritetin territorial të Sirisë”, thuhet në deklaratë.
Mbështetja për angazhim konstruktiv pa ndërhyrje të jashtme në punën e Komitetit Kushtetues u konfirmua gjithashtu në deklaratë.
Mes tjerash në deklaratë është tërhequr vëmendja për shqetësimet ndaj gjendjes humanitare si dhe ndikimit të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) në Siri, ku është nënvizuar sfida e thellë e krijuar nga pandemia për sa i përket kushteve sociale, ekonomike dhe humanitare si dhe sistemit shëndetësor në Siri.
Ministrat i kanë bërë thirrje Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), OKB-së dhe institucioneve të OKB-së, përfshirë COVAX që t’i japin përparësi edhe Sirisë për vaksinim.
“(Ministrat) Kanë theksuar nevojën për lehtësimin e kthimit të sigurt dhe vullnetar të refugjatëve dhe personave që janë zhvendosur brenda vendit”, thuhet në deklaratë, duke e falënderuar Katarin për mikpritjen.


