Komisioni i Punëve të Jashtme i Parlamentit turk vonoi një votim mbi ofertën e Suedisë për anëtarësim në NATO, duke krikuar kështu pengesa të mëtejshme ndaj vendit nordik për t’u bashkuar me aleancën perëndimore pas 18 muajsh pritje.
Kryetari Fuat Oktay tha se komisioni, do të mbajë bisedime të mëtejshme dhe mund ta rikthejë projektligjin në axhendën e tij javën e ardhshme, por ai nuk caktoi një afat kohor të qartë. Takimi u ndërpre pasi ligjvënësit nga partia në pushtet e presidentit Recep Tayyip Erdogan paraqitën një mocion për shtyrje me arsyetimin se disa çështje kishin nevojë për sqarime dhe se negociatat me Suedinë nuk ishin përmbushur sa duhet.
Reuters shkruan se ambasadori suedez do të ftohet në seancën e ardhshme për të dhënë informacione të mëtejshme mbi hapat që ka ndërmarrë vendi i tij për të adresuar shqetësimet e sigurisë së Turqisë.
Erdogan tha këtë muaj se do të përpiqet të lehtësojë procesin e ratifikimit, por shtoi se Suedia nuk kishte ndërmarrë veprime të mjaftueshme ndaj militantëve kurdë.
Për ratifikimin, projektligji duhet të miratohet nga komisioni përpara se të hidhet në një votim të plotë parlamentar, i cili mund të vijë ditë ose javë më vonë. Erdogan më pas do ta nënshkruajë atë në ligj, kohëzgjatja e të cilit ka krijuar skepticizëm tek aleatët e Ankarasë. Suedia dhe Finlanda kërkuan të anëtarësohen në NATO në Maj të vitit të kaluar pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Lideri turk e kundërshtoi diçka të tillë në atë kohë për të dyja vendet për atë që Turqia i konsideron terroriste, si dhe embargove të tyre tregtare në fushën e mbrojtjes. Turqia miratoi ofertën e Finlandës në Prill, por e ka mbajtur Suedinë në pritje. Si përgjigje, Stokholmi prezantoi një projekt-ligj të ri kundër terrorizmit, duke hequr gjithashtu kufizimet e eksportit të armëve në Turqi.
Marrëveshja e Turqisë për anëtarësimin e Suedisë ka qenë gjithashtu e lidhur me përpjekjet e Ankarasë për të blerë avionë të rinj luftarakë F-16 nga Shtetet e Bashkuara dhe për të përmirësuar flotën e saj ekzistuese luftarake. Megjithatë, si zyrtarët amerikanë ashtu edhe ata turq kanë këmbëngulur se çdo marrëveshje e tillë nuk do të lidhet me anëtarësimin e Suedisë në NATO. Disa analistë thonë se parlamenti i Turqisë mund të ratifikojë plotësisht ofertën në një takim të ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel më 28-29 Nëntor.