Bashkëdrejtuesit e Partisë së Gjelbër gjermane, Ricarda Lang dhe Omid Nouripour njoftuan sot se i gjithë ekzekutivi i partisë do të japë dorëheqjen në nëntor – pas rezultateve të dobëta në zgjedhjet rajonale.
“Ne kemi nevojë për një fillim të ri”, tha Nouripour në një konferencë për shtyp në Berlin. Një komitet i ri ekzekutiv do të zgjidhet në konferencën e partisë kombëtare të të Gjelbërve në mes të nëntorit.
Në nivel kombëtar, të Gjelbërit janë aktualisht partia e dytë më e madhe në qeverinë e koalicionit tripartiak të kancelarit Olaf Scholz, e cila është përfshirë nga mosmarreveshje të brendshme të ashpra duke shënuar një rënie në sondazhet e opinionit.
Ndër zhgënjimet më të fundit dhe të hidhura për të Gjelbrit ishin zgjedhjet e së dielës në shtetin gjerman lindor të Brandenburgut, kur partia humbi të gjitha vendet e saj në parlamentin e shtetit – pasi nuk arriti pragun prej 5% të nevojshëm për të marrë vendet në zgjedhjet gjermane.
“Duhen fytyra të reja për ta nxjerrë partinë nga kjo krizë. Tani është koha për të marrë përgjegjësinë dhe ne po e marrim këtë përgjegjësi duke bërë të mundur një fillim të ri”, tha Lang.