Të paktën 43 të vdekur, dëme masive e miliona vetë pa energji elektrike: Ky është deri tani bilanci i furisë së uraganit Helene që ka gjunjëzuar juglindjen e Shteteve të Bashkuara.
Me gomone, helikopterë e makina: ekipet e ndërhyrjes së shpejtë po bëjnë cështë e mundur për të shpëtuar njerëzit nga vërshimet, e ndër të evakuarit e fundit ishin 50 punonjës e pacientë të bllokuar në catinë e një spitali të përmbytur në Tennessee. Kjo konsiderohet stuhia më e fuqishme që godet Floridan, ndërsa tërbimit të saj nuk i kanë shpëtuar as Georgia dhe Karolina e Veriut e ajo e Jugut. Nga përllogaritjet e deritanishme, rezulton që dëmet të mbërrijnë në miliarda dollarë.
Stuhia arriti erëra maksimale prej 225 kilometrash në orë, kur goditi rajonin e Floridës të mbrëmjen e së enjtjes. Shkatërrimet katastrofike të saj , vijnë sipas ekspertëve, pasi ndryshimet e klimës po mundësojnë që stuhi të tilla të kenë fuqi më të madhe, dhe kur kalojnë përmes ujërash të ngrohta, ato shpresh shndërrohen në uragane të fuqishme e tajfunë brenda vetëm pak orësh.
Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis tha se dëmi i shkaktuar nga uragani Helene, duket se është më i madh sesa dëmi i shkaktuar nga uragani Idalia dhe Debby marrë së bashku, du yraganë të dhunshëm këta që goditën SHBA-në në gusht. Për shkak të stuhisë, mbi 4 milionë shtëpi dhe biznese mbetën pa energji elektrike në Florida, Xhorxhia dhe Karolinën e jugut. Metereologët presin megjithatë që Helene të dobësohet kur të lëvizë përmes Tenesisë dhe Kentakit.