
Gjykata ushtarake izraelite ka dënuar me vetëm një muaj burgim ushtarin izraelit që vrau një fëmijë palestinez gjatë protestave të rregullta që organizohen në Rripin e Gazës.
Ushtria izraelite tha në një deklaratë se një ushtar izraelit, identitetin e të cilit nuk e ka zbuluar, ka pranuar se më 13 korrik të vitit 2018 ka vrarë 15-vjeçarin Osman Hallas gjatë protestave në Gaza.
Gjykata ushtarake ka vendosur që ushtari snajper që ka vrarë fëmijën palestinez të dënohet me një muaj burgim dhe ulje të gradave me arsyetimin se “nuk ka zbatuar urdhrat dhe ka hapur zjarr pa miratimin e komandantit”.
Dënimi me një muaj burgim për sjanperin i cili martirizoi palestinezin me arsyetimin se është ngjitur në telat kufitarë vjen në një kohë kur gjykatat izraelite nga ana tjetër dënojnë me muaj të tërë fëmijët palestinezë për hedhje gurësh në drejtim të ushtarëve apo policëve.
Që nga 30 marsi i vitit 2018, palestinezët në kufirin e Rripit të Gazës organizojnë çdo të premte protesta paqësore me moton “Marshi i Madh i Kthimit”.
Sipas të dhënave të Qendrës për të Drejtat e Njeriut Al-Mizan, që nga fillimi i protestave e deri më tani ushtarët izraelitë kanë vrarë 214 palestinezë, mes të cilëve 46 fëmijë.


