Para se të përdorej interneti dhe rrjetet sociale, posta me letra ishte mjeti i komunikimit më i përhapur asokohe. Përgjatë kësaj periudhe, e kisha traditë që adresën e postës sime shtëpiake ta shkruaja në librat e mi të botuar, që lexuesi më lehtë të më kontaktonte e të më përkrahte me sugjerime dhe këshilla, prej të cilave, me të vërtetë, kam përfituar shumë. Ajo që nuk e kisha pritur ishte numri i madh i letrave që më arrinin, saqë e kisha të vështirë t’i dilja ballë çdo letre që ta lexoja. Kutia postare mbingarkohej me letra të ndryshme; disa ishin pyetje, në të tjerat kërkohej këshillë, e në disa të tjera kërkohej ndihmë materiale etj.
Përpiqesha në maksimum t’i ktheja letrat, në veçanti, pyetjet e rëndësishme apo ato që kërkohej në to këshillë me rëndësi. U përgatita me të gjitha pajisjet e mundshme, duke filluar prej kompjuterit, edhe pse në atë kohë përdorimi i tij ende nuk ishte shumë i përhapur. Në të i shkruaja formularët e gatshëm për t’i kthyer letrat. Botoja zarfe të veçanta që e bartnin adresën time postare që të mos kisha nevojë ta shkruaja me dorë në çdo zarf adresën time dhe përdorja zarfe katërkëndëshe të tejdukshme ku shfaqej adresa e pranuesit të letrës që të mos kisha nevojë ta shkruaja adresën edhe një herë.
Megjithatë, patjetër, nganjëherë, kishte raste t’ua vonoja kthimin e letrës.
Përafërsisht njëzet e katër vjet para se ta shkruaj këtë libër, nëpërmjet postës më arriti një letër ku figuronte emri Ummu Hemam (nëna e Hemamit) el-Kahtani. E hapa letrën dhe vërejta që nuk kishte diçka të jashtëzakonshme, letër e njëjtë sikur të tjerat ku në të kërkohej këshillë. E përgatita përgjigjen dhe e shkrova në kompjuter, por e lashë më vonë ta printoja, ta futja në zarf dhe ta përgatitja për ta dërguar.
Më vonë, pas disa ditëve më thirri një grua në telefon, e cila u paraqit se ishte Ummu Hemam dhe pastaj menjëherë më pyeti:
– A të ka arritur letra ime?
– Po, letra jote më ka arritur, – i thashë.
– A mund ta di tani mendimin tënd rreth pyetjes që ta dërgova në letër, – më tha.
– Përgjigjja do të të arrijë nëpërmjet postës, – i thashë.
I kërkova falje për vonesën dhe i tregova se isha tepër i angazhuar. Me të vërtetë, atëkohë isha tepër i zënë me punë, si dhe nuk më kujtoheshin detajet e letrës.
Nuk shkuan dy apo tri ditë pasi biseduam nëpërmjet telefonit, më erdhi një letër nëpërmjet faksit ku figuronte emri Ummu Hemam el-Kahtani.
Letrën e saj e kishte filluar me këto fjalë:
Po të konsultohesha me një rabin hebre apo me një prift të krishterë për ngjyrën e fustanit tim, do të më përgjigjej me bekimin e Isës, alejhi selam, mirëpo unë u konsultova me një thirrës mysliman për një çështje të rëndësishme që ndërlidhet me të ardhmen time dhe ai nuk ma kthehu përgjigjen.
E di se nuk jam djalosh i ri që prej meje të priten gjëra të mëdha, dhe nuk jam… dhe nuk jam…
Pastaj vazhdoi duke thënë:
Por jam një grua që besoj në fenë e një pejgamberi (për qëllim e ka Muhamedin g), i cili, kur ndonjë shërbëtore kishte hall dhe kërkonte ndihmë prej tij, ai g ishte në shërbimin e saj.
Letrën e saj e përfundoi me shprehje ironike duke shkruar:
Shpresoj për ty të gjesh kohë shtesë të lirë për t’i realizuar hulumtimet dhe projektet e tua!
Situata ishte tronditëse. Qortimi dhe kritika e saj më bëri për herë të parë të ndieja shqetësim nga i cili m’u ngushtua gjoksi. Isha në siklet të madh. Njerëzit nga natyra e tyre e kanë që askush mos t’u drejtohet me qortim të ashpër, prandaj vendosa që t’ia tregoja asaj dëshpërimin tim nga letra e saj. Atëkohë e kisha mundësinë t’i thosha me shumë sinqeritet: Problemi yt, me të vërtetë, është i rëndësishëm, mirëpo mua më pret përgatitja e ligjëratës në të cilën prezantojnë dhjetëra njerëz dhe me qindra të tjerë e dëgjojnë të incizuar. Ata kanë prioritet më tepër që t’u kushtoj kohë se juve. Do të jem në gjendje t’i përgjigjem letrës sate dhe letrave të dhjetëra të tjerëve që presin përgjigje, vetëm pasi ta përfundoj përgatitjen e ligjëratës. Megjithatë, e përmbajta veten dhe vendosa të mos ngutesha në kthimin e përgjigjes.
U ktheva t’i rishqyrtoja edhe një herë letrat, e gjeta se i isha përgjigjur letrës së saj. Ajo kishte kërkuar ta këshilloja rreth ndërrimit të drejtimit në fakultet, meqenëse ishte regjistruar me një drejtim që nuk i përshtatej nevojave të saj, e nga kjo situatë kishte rënë në luftë me veten se a të vazhdonte me këtë drejtim që ajo të ketë rol pozitiv apo ta ndryshonte drejtimin.
Ia ktheva letrën me përgjigjen që e pata shkruar më herët, por me një shtojcë ku i kërkova falje thellësisht nga zemra. Megjithatë, nuk ma ktheu letrën.
E pranoj që e meritoj këtë injorim, qoftë edhe i qëllimshëm prej saj.
Po ashtu nuk e dija numrin personal të faksit të saj që t’ia dërgoja përgjigjen (me faks në rast se nuk e kishte marrë me postë). Kaluan më tepër se njëzet vjet nga kjo ndodhi dhe ende vazhdoj ta kujtoj rastin e saj. Më e keqja është se nuk e di a i ka shkuar letra ime apo jo dhe nuk di se çfarë ka ndodhur me çështjen e saj.
– Në shumicën e rasteve problemet e të tjerëve i shikojmë nga këndvështrimi ynë dhe jo nga këndvështrimi i tyre. Kjo na çon që këtyre problemeve mos t’u japim kujdesin e nevojshëm që e meritojnë, bile, ndoshta, prej nesh dalin vërejtje të ashpra që i nënvlerësojnë këto probleme.
Kjo e tëra buron nga pamundësia jonë ta vendosim veten në pozitën e tyre. Sikur t’i ktheheshim hadithit të vërtetë profetik me të cilin u argumentua “Ummu Hemam” në letrën e saj, do të zbulonim pengesën e rrejshme që ndërhyn në mes nesh dhe avitjes me problemet e njerëzve.
Enes ibn Malik tregon për një grua që kishte probleme mentale dhe një ditë iu drejtua Pejgamberit, alejhi selam, me fjalët: “O i dërguari i Allahut! Dua të të pyes për një nevojë, por larg njerëzve dhe shokëve që janë me ty.” Pejgamberi, alejhi selam, tha: “Oj nëna e filanit! Shiko sokakun më të përshtatshëm për ty ku ta dëgjoj kërkesën tënde.” U largua me të anash[1] në disa sokakë, derisa ia përmbushi kërkesën e saj.”[2]
Sipas një versioni tjetër: “Ndodhte që ndonjë grua nga skllavet e Medines ta kapte për dore Pejgamberin, alejhi selam, e të shkonte me të për punët e saj.”[3]
Sipas shumë gjasave, atë që kërkoi skllavja apo ajo gruaja me probleme mendore nga Pejgamberi, alejhi selam, nuk ishte në interes të përgjithshëm për umetin, apo që lidhej me ndonjë dobi të lartë prej dobive të myslimanëve.
E sikur unë ta kujtoja dhe ta zbatoja këtë metodologji profetike, nuk do të bija në këtë gabim. Mua më duhej që gruan e cila më kontaktoi dhe kërkoi mendimin tim, ta pyesja për natyrën e problemit të saj, apo më duhej të kërkoja prej saj të më kontaktonte sërish pasi t’ia ktheja letrën. Besoj se kjo e tëra do të më merrte më pak kohë se kohën që e harxhova në të shkruarit e përgjigjes, përgatitjes së zarfit për ta dërguar dhe dërgimin e zarfit deri te posta.
– Kjo është një ngjyrë prej gabimeve që lënë ndikim dhe prej tij mësova:
Të kujdesem për dallimin e aspiratave të njerëzve, e mendjeve, aftësive dhe llojshmërisë së problemeve të tyre e, në veçanti, kujdesi të shfaqet gjatë trajtimit tonë të gruas dhe fëmijës. E keni parasysh fëmijën kur sheh diçka që është e rëndësishme për të dhe atë e kërkon prej nesh, a ne e harrojmë kërkesën e tij, tregohemi indiferentë karshi saj dhe e shohim si të dorës së dytë, sepse nuk e kemi vendosur veten në pozitën e tij.
E njëjta çështje vlen edhe me gruan e cila dallon në aspirata nga burri. Kur ajo ka nevojë për ndonjë gjë që ndërlidhet me shtëpi si ndreqja e diçkaje që është prishur, apo blerja e ndonjë pajisjeje, apo ta dërgojë burri atë deri në ndonjë vend të caktuar, dhe kërkon nga burri i saj t’ia plotësojë këto nevoja, e sheh burrin se si qëndron indiferent karshi tyre, sepse mendon që është i angazhuar me punë më të rëndësishme se ato e, në veçanti, nëse është i angazhuar në mesin akademik apo të davetit (thirrjes në fenë e Allahut). Ai kërkesat e saj i krahason me përmasat e tij të veçanta dhe i sheh ato si të parëndësishme, prandaj e lë pas dore plotësimin e kërkesave të saj, që për gruan janë të rëndësishme, por për burrin e saj të parëndësishme.
Pas kësaj ndodhie, u mundova që gjatë trajtimit të problemeve, pyetjeve, projekteve dhe aspiratave të të tjerëve, ta vendosi veten në pozitën e tyre që ta kuptoj gjendjen e tyre e më pas ta trajtoj atë ashtu si e meriton dhe ta shikoj atë nga këndvështrimi i tyre e jo nga këndvështrimi im.
– Kjo gjë nuk kufizohet me problemet e njerëzve dhe kërkesat e tyre personale, sepse në sferën e ideve dhe në projektet e davetit, në ato humanitare dhe shoqërore, njerëzit kontaktojnë me ne, kërkojnë ide dhe këshilla, kanë shpresa dhe ambicie të larta në projektet dhe idetë e tyre.
Nga pikëpamja jonë, ndoshta shumë nga ato projekte nuk paraqesin rëndësi të lartë dhe i shohim të parëndësishme të merremi me to, në krahasim me ata që na i prezantojnë ato ide dhe projekte të cilat i shohin shumë të rëndësishme. Ne nuk e kuptojmë largësinë në mes nesh dhe në mes të të tjerëve, ndoshta edhe pakësojmë nga vlera e tyre, prandaj në fund u kërkojmë falje për mospjesëmarrjen tonë në ide dhe veprim, duke u arsyetuar se jemi të angazhuar me diçka më të rëndësishme.
Konsideroj që kemi nevojë për një dozë të komunikimit më të qartë me njerëzit dhe t’u kumtojmë se është i besueshëm ai që prej atij kërkohet këshillë, megjithatë kjo nuk na liron nga përgjegjësia që rastin ta trajtojmë me mirësi dhe t’i respektojmë aspiratat e të tjerëve.
– Me rëndësi është të vetëdijesohemi se aspiratat e njerëzve nuk janë të ndara nga idetë dhe aftësitë e tyre. Ajo që ne e shohim jo shumë të dobishme dhe jo me vlerë të madhe, për dikë tjetër marrja me të mund të jetë më parësorja, bazuar në aftësitë dhe mundësitë e tij.
Allahu i krijoi njerëzit të shumëllojshëm dhe të larmishëm në aftësitë, intelektin dhe animet e tyre e, aq më tepër, i ngriti disa mbi të tjerët në nivelin e dijenisë dhe shkallëve në dynja. Në të gjitha këto ka urtësi të mëdha ashtu siç Allahu thotë: “Ai ju ka bërë pasardhës të njëri-tjetrit në Tokë dhe ka ngritur në shkallë disa nga ju mbi të tjerët, për t’ju provuar në atë që ju ka dhënë. Sigurisht që Zoti yt është i shpejtë në dënim, por, në të vërtetë, Ai është edhe Falës e Mëshirëplotë.” (El-Enam: 165)
Kujdesi për ta pastruar xhaminë ishte vepra më e mirë që e bënte ajo grua, e cila, kur ndërroi jetë, për të u interesua Pejgamberi, alejhi selam, dhe pyeti për vendin ku ishte varrosur që t’ia falte namazin e xhenazes. Ebu Hurejra tregon se një grua me ngjyrë të zezë kujdesej për pastrimin e xhamisë dhe, kur Pejgamberi, alejhi selam, nuk e vërejti praninë e saj, u interesua për të dhe sahabët e lajmëruan se kishte ndërruar jetë. Pejgamberi, alejhi selam, tha: “Përse nuk më lajmëruat (se ka ndërruar jetë e t’ia falja namazin)?” Sahabët sikur e nënvlerësuan çështjen e saj.[4] Më pas Pejgamberi, alejhi selam, tha: “Më çoni deri te varri i saj.” Sahabët e çuan te varri saj, ia fali namazin dhe pastaj tha: “Këto varre janë të mbushura me errësirë për banorët e saj, e Allahu i ndriçon ato me namazin e xhenazes që ua fali atyre.”[5]
Sikur të angazhohej Ebu Bekri, apo Halid ibn el-Velidi, apo Ibn Abasi me një vepër të ngjashme sikur të asaj gruaje, do ta angazhonin veten me një vepër me më pak vlerë karshi veprave të tyre që ishin me vlerë më të madhe.
– Po ashtu, kemi nevojë ta njohim dobësinë e aftësive tona për t’i avancuar aspiratat e të tjerëve e, aq më tepër, në shumicën e rasteve atë që e kërkojmë prej tyre i tejkalon aftësitë e tyre dhe nuk janë të parapërgatitur për të.
– Ajo që ndihmon të realizohet ky kuptim është ta bëjmë dallimin në mes aftësive të njerëzve dhe pozitës së tyre tek Allahu. Pozitën tek Allahu e di veç Allahu dhe Atij i takon të gjykojë për të, ajo nuk ndërlidhet me aftësi dhe mundësi, por me devotshmëri: “…më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Atë asgjë nuk është e fshehtë.” (El-Huxhurat: 13)
Ndoshta një burrë apo grua nga masa e gjerë e njerëzve, me aftësi të dobëta dhe mundësi të pakta, është më e mirë tek Allahu se disa të tjerë që namin e kanë të madh për dijen, intelektin dhe përvojën e tyre. Ebu Hurejra h tregon se Pejgamberi g tha: “Ndoshta një njeri flokëshprishur (nga varfëria dhe mjerimi), i dëbuar nga dyert (do të thotë i pavlerë te njerëzit), po t’i lutej Allahut, do t’ia pranonte lutjen e tij (shkaku i pozitës së lartë që e ka tek Allahu).”[6]
Dr. Muhamed Duvejsh
Nga arabishtja: Irfan Jahiu