Vangjeli: Kallëzim penal për shembjen e rrugës dhe masakrën mjedisore në Farkë

Mos i humb

Zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli reagoi sot për shembjen e rrugës në afërsi të kompleksit të vilave në Farkë, ndërsa bëri të ditur se PD do të bëjë kallëzim penal për këtë çështje.

Vangjeli tha se denoncimi vjen nga banorët e fshatit Farkë, të cilëve u është kufizuar aksesi për shkak të shembjes së rrugës në afërsi të kompleksit të vilave që po ndërton dhëndri i Kujtim Qefalisë, ish-kryetar i komunës Dajt dhe vëllai i deputetit Xhemal Qefalia.

Përveç rrugës, sipas saj, “janë dëmtuar disa shtëpi dhe është shkaktuar dëm mjedisor duke ndërhyrë pa kriter në kodrat e fshatit”.

“Të ndërtosh vila për më të pasurit, dhe t’u prishësh rrugën dhe shtëpitë hallexhinjve të fshatit, këtë vetëm dhëndurët e pushtetit të Edi Ramës e bëjnë. Partia Demokratike do të kallëzojë penalisht përgjegjësit për shembjen e rrugës dhe masakrën mjedisore të denoncuar para disa ditësh nga disa banorë që jetojnë pranë Liqenit të Farkës në Tiranës”, tha ajo.

Duke iu referuar banorëve, Vangjeli tha se “shoqëria tregtare ‘Al Point’ shpk, me pronar Aleksandër Vasili, i cili është dhëndri i administratorit socialist të Dajtit, Kujtim Qefalia, po punon për ndërtimin e një kompleksi vilash pranë liqenit”.

Në këtë zonë, sipas saj, “toka ka pësuar rrëshqitje duke shënuar shembjen e rrugës dhe dëmtimin e banesave të zonës për rreth”.

“Banorët u shprehën se punimet janë bërë natën dhe pa asnjë lloj kriteri, asnjë tabelë informuese në kundërshtim me ligjin dhe sipas tyre fadromat kanë mbërritur natën dhe kanë nisur punën duke terrorizuar vendin dhe shkatërruar gjithçka përreth. ‘Al Point’ shpk, përveç rekordit negativ në historikun e veprimtarisë, me 14 masa për vendosje sekuestrosh mbi aksionet e shoqërisë, ka zaptuar zonën e Dajtit ku ka kryer punime”, shtoi Vangjeli.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit