Vasili ironi me Ramën: Del pasi del dielli dhe zhduket kur përmbytjet marrin anembanë vendin

Mos i humb

Përmes një deklarate për mediat nënkryetari i LSI, Petrit Vasili foli për përmbytjet e pak ditëve më parë në Lezhë e Shkodër.

Akuzat ai i drejtoi nga kryeministri Rama, duke u shprehur se ai gënjen me shifrat ditën për diell.

Sipas Vasilit, kryeministri është njeriu që del pasi del dielli dhe zhduket kur përmbytjet marrin anembanë vendin, dhe atëherë dha këto deklarata dhe kërkonte të mos fajësohej opozita.

“Ju keni pasur fatkeqësinë të dëgjoni sërish dje kryeministrin e vendit Edi Rama i cili në vend ti përgjigjej angazhimeve dhe detyrimeve të tij për të përballuar situatën e rëndë të përmbytjeve, dëgjuat vetëm pasi doli dielli se si u shpjegoi shqiptarëve që në krahasim me vitin 2010 megjithëse paskësh rënë 2 herë më shumë shi, ky përballoi situatën.

Së pari ju e dini më së miri që ky dhe qeveria e tij nuk ishin në krye të detyrës dhe vetëm thirrjet e vazhdueshme, insistuese të opozitës dhe Presidentit të Republikës bënë që së paku formalisht për sy e faqe të mblidheshin e të bënin ndonjë lëvizje, ndonjë veprim, gjithmonë për shoë, për televizor, sepse veprime konkrete nuk bën asnjë.

Megjithatë meqenëse ka pretenduar për reshje të shumta, për një situatë më të rënduar se viti 2011, tu themi të vërtetat shqiptarëve, të cilët boll dëgjuan këtë shëmbëlltyrë të gënjeshtrës që quhet Edi Rama. Cilat janë faktet? Media shqiptare duhet të jetë shumë e interesuar që ti përcjellë këto fakte pasi shqiptarëve u interesojnë të vërtetat.

Në vitin 2010-2011, dhjetor – janar, shkarkimet në kaskadën e Drinit, prurje anësore plus agregatet e Vaut të Dejës, shkonin në maksimumin e tyre në vitin 2021 të Edi Ramës, në 1600 metër/kub ujë për sekondë. Ndërsa në vitin 2011 të cilit i referohet, këto prurje kanë qenë deri në 3200 e në ditë të caktuara 4 mijë metër/kub ujë për sekondë, pra një situatë kritike e paverifikuar në 50 vite në Shqipëri. Pra, kryeministri gënjen 2 herë e gjysmë më shumë sesa ajo që raporton.

Hidrocentrali i Fierzës, sivjet kur filluan shkarkimet ishte 17 metra në kuotën maksimale, për shkak edhe të thatësirave të mëparshme, ndërsa në vitin 2011 ka qenë vetëm 6 metra nga pika kritike, me një sasi reshjesh dhe prurjes të jashtëzakonshme, përfshirë edhe shkrirjen e menjëhershme të dëborës. Pra, edhe këtu gënjeshtra e kryeministrit është dy herë e gjysmë më e madhe në raport me këtë kohë dhe me atë kohë.

Fierza në këtë situatë të tanishme nuk ka bërë shkarkime, pasi ka pasur disnivele, ndërsa në atë kohë shkarkimet janë bërë sepse situata ishte kritike dhe prurjet ishin të jashtëzakonshme. Në vitin 2021, sot pra, Fierza ka pasur nivelin maksimal 288 metra, kurse në vitin 2010-2011 ka qenë 298 metra, ndërsa hidrocentrale të tjera shumë të rëndësishme të kaskadës si Komani dhe Vau i Dejës sivjet ka qenë 178 metra Komani dhe Vau i Dejës në 75.5 metra, ndërkohë që në 2011 këta kanë qëenë në nivelet e tyre maksimale dhe të detyruar për shkarkim.

Në zonën ujëmbledhëse të Bunës. Një nga zonat shumë të rëndësishme kritike dhe që mblidhte një seri prurjresh të jashtëzakonshme në lumenj, siç ishte Bregu i Lumit, Shala etj, në vitin 2021 në gjithë këtë zonë reshjet e shiut në ditë kanë vetëm 100 milimetra shi. Në ato ditë të 2011 ka qenë 260 milimetra shi. Dy herë e gjysmë më e lartë.

Vijmë tek Vjosa, të cilës i bënë edhe vizitat përkatëse. Në vitin 2011 shkarkimet, prurjet e Vjosës ishin 2300 metër/kub ujë për sekondë. Ndërsa sivjet ishin vetëm 1 mijë metër/kub ujë për sekondë dhe për zonën e Vjosës institucionet që monitorojnë nuk dhanë alarmin pasi prurjet ishin të shtuara, por jo mbi mesatare apo në masën kritike të tyre, e në gjithë zonën e Vjosës, një lum i egër, nuk është bërë asnjë ndërhyrje në argjinaturë, ka pasur vetëm disa prita erozive që nuk kanë hic të bëjnë me mbrojtjen nga përmbytjet. Kjo është situata e mashtrimit kolosal me numra, me shifra dhe me fakte, të cilat janë e zeza mbi të bardhë. Ky ka zgjedhur vetëm të gënjejë shqiptarët dhe sa herë ta shikoni kini parasysh që keni një gënjeshtar përpara.

Tani le të vijmë të çështja e përballimit shoqëror dhe politik të problemit, pasi sigurisht që opozita e vendit ka për detyrë të bëjë të gjithë kritikat dhe vërejtjet e saj, madje të propozojë edhe rrugëdalje, të cilën opozita e ka bërë. Ky sot ankohet shumë që opozita po e kritikon kot, po i bie në qafë kot, po thotë gjëra të padrejta për të dhe e quan kërkesën që ky duhet të largohet se qeveria e tij është e paaftë, si një kërkesë thjesht politike të opozitës, që nuk ka lidhje fare me sjelljen që duhet të ketë një opozitë.

Të nderuar qytetarë, po i referohemi Edi Ramës në opozitë që të kuptoni njëherë e mirë se çfarë mashtruesi keni përballë jush. Çfarë thoshte dikur. Edi Rama në opozitë thoshte: Kryeministri duhet të largohet! Në dhjetor të vitit 2010, janar 2011. “E vetmja rrugë për t’i trajtuar këto probleme (përmbytjet) ashtu siç janë të rënda të ndërlikuara të akumuluara në vite e vite është rruga që hapet me largimin e Saliut”. Saliu ishte kryeministri i vendit në atë kohë. “Sepse kjo vazhdonte Edi Rama, nuk ndodhte për shkak të zotit, për shkak të harbimit dhe çmendimit të lumenjve, por ndodh për hir të qeverisë.” Gjithashtu thoshte: “Kjo është një situatë në të cilën ka vetëm një forcë pa faj dhe forca pa faj është natyra. Vetëm fatkeqësi natyrore nuk është”, ndonëse ishte një fatkeqësi natyrore e dimensioneve të jashtëzakonshme, “dhe përmbytjet nuk ndodhin për shkak të zotit apo të harbimit të lumenjve, por janë problem direkt i qeverisjes”. Këto thoshte ky në opozitë. Por çfarë thoshte Edi Rama në raportin opozitë-pushtet? Edi Rama në atë kohë në opozitë thoshte: “Opozita nuk është problemi, nuk mund të zgjidhen problemet e përmbytjeve, nuk munden dot të zgjidhen problemet e panumërta duke u marrë ditë e natë me luftën kundër opozitës”.

Ky që shan me çfarë i vjen për goje opozitën me gjithë drejtuesit e saj, ky që gënjen me shifrat ditën për diell, ky që shkoi dhe bëri politikë pa u lodhur në vitin 2011, sigurisht pasi doli dielli, se ky është njeriu që del pasi del dielli dhe zhduket kur përmbytjet marrin anembanë vendin, dhe atëherë dha këto deklarata dhe kërkonte të mos fajësohej opozita. Sot e fajëson opozitën. Dje i quante fenomene të natyrës, sot e quan fatkeqësi natyrore kur është ai në pushtet, atëherë nuk ishte fatkeqësi natyrore kur ishte ai në pushet, se ai ishte pa faj, por faji i vetëm ishte qeveria”,- tha Vasili.

- ISLAMSHOP.CH -
- ISLAMSHOP.CH -

Të fundit