
Siç bën të ditur Ministria e Sigurisë Publike të Venezuelës përmes një komunikate në median sociale, një sasi e madhe armësh dhe municionesh të dërguara nga qyteti Majami i SHBA-së është konfiskuar në një depo të Aeroportit Ndërkombëtar “Arturo Michelena”, në qytetin e Valencies.
Kurse zëvendësministri i Sigurisë Publike, Endes Palencia, shpërndau në “Twitter” fotot e armëve dhe municioneve të sekuestruara. Ai tha se në depo janë gjetur 19 pushkë, 118 karikatorë pushkësh, municione të kalibrit të madh, 90 aparate komunikimi dhe 6 telefona celularë.
Palencia theksoi se është konstatuar që armët dhe municionet e konfiskuara janë dërguar me një avion të nisur më datë 3 shkurt nga Majami.
“Si njësi të sigurisë, ne do të përmbushim plotësisht përgjegjësinë tonë kundër atyre që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin e popullit të Venezuelës dhe ofrojnë mbështetje financiare për grupet terroriste”, shtoi zëvendësministri venezuelas i Sigurisë Publike.
Ai njoftoi gjithashtu se prokuroria ka nisur një hetim për këtë rast.


