Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu inspektoi nga afër punimet që po kryhen në Bazën e Mbështetjes për Emergjencat Civile, për ndërtimin e godinave dhe infrastrukturës së re, projekt strategjik ky që përfaqëson një angazhim të rëndësishëm për përmirësimin e reagimit ndaj situatave emergjente.
“Ecim përpara me një tjetër hap për rritjen e gatishmërisë kombëtare dhe modernizimin e Forcave të Armatosura! Në Bazën e Mbështetjes për Emergjencat Civile po i afrohemi përfundimit të ndërtimit të godinave dhe infrastrukturës së re, projekt strategjik ky që përfaqëson një angazhim të rëndësishëm për përmirësimin e reagimit ndaj situatave emergjente”, shkruan Vengu.
Sipas Vengut “projekti që do të finalizohet në muajt e parë të vitit të ardhshëm siguron: Infrastrukturë moderne dhe të qëndrueshme për operacione emergjente; Kushte optimale pune për personelin; Kapacitete të rritura për reagim të shpejtë dhe efikas ndaj çdo situate të papritur; Përforcim të gatishmërisë kombëtare për t’i shërbyer qytetarëve në çdo rast nevojë”.
“Siguria e qytetarëve dhe mbrojtja e jetës janë përparësi absolute për Forcat e Armatosura”, nënvizoi Vengu.


