Vetëvendosje thirrje LDK-së për organizim të përbashkët të protestave

Mos i humb

Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosjes, sot ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme të kryesuar nga lideri i saj Albin Kurti, dhe pas shumë diskutimeve dhe analizës së situatës politike në vend, ka marrë vendim që të bashkërendojnë aktivitet me subjektin opozitar LDK-në, për të ndaluar degradimin e shtetit të Kosovës nga udhëheqësit aktualë Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi.

Sipas njoftimit për media, Vetëvendosje, do të angazhohet fillimisht të komunikojë me LDK-në, për të organizuar protesta kundërshtuese të qasjes së Presidentit Hashim Thaçi në dialogun me Serbinë dhe në mbrojtje të integritetit dhe territorit të Republikës së Kosovës.

Kjo është komunikata e plotë Vetëvendosjes:

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pa mandat të Kuvendit po vrapon në negociata pa parime me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ne nuk mund të lejojmë pazare me sovranitetin, territorin dhe kufijtë e Kosovës. Aventura personale e Presidentit të Kosovës është e papranueshme. Ai po i mashtron si qytetarët e Kosovës ashtu edhe ata të Kosovës Lindore. Prandaj, ai duhet të largohet.

Qeveria e pakicës po e bojkoton Kuvendin e Republikës. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duhet të dorëhiqet. Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare. Kërkojmë zgjedhje të lira, demokratike dhe të ndershme. Nevojitet legjitimitet i ri i një qeverie të re.

Institucionet e Kosovës nuk po funksionojnë. Kuvendi është bllokuar. Presidenti i Serbisë do të vijë në Kosovë këtë fundjavë, por qeveria dhe policia e Kosovës nuk do ta arrestojë atë. “Zajednica” Thaçi-Vuçiç është evidente. Presidenti i Serbisë nuk duhet lejuar të hyjë në Kosovë.

Sa më shpejt nevojiten ndryshime për ta shpëtuar Republikën e Kosovës. Protestat janë të domosdoshme. Gatishmëria e popullit është e lartë. Sepse masivisht kuptohet dëmi që mund të sjellë vonesa. Le t’i kthehemi qytetarëve dhe le t’i mbushim bashkë sheshet. Le të organizojmë tubime me qytetarë për protesta qytetare.

Ta ruajmë dhe mbrojmë shtetësinë dhe pavarësinë, sovranitetin dhe kushtetushmërinë, integritetin territorial e institucional të Republikës së Kosovës, popullsinë tonë në trojet e saj!/Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit