Vettingu në politikë, PD rikthehet në Kuvend për diskutimin

Mos i humb

Në Kryesinë e Kuvendit do të mbahet këtë të mërkurë takimi për diskutimin e nismës për vettingun në politikë.

Një pjesë e deputetëve të opozitës kishin mbërritur deri pak minuta më parë, ndërkohë që mbledhja pritej të niste. Në këtë mbledhje, komisioni parlamentar do të shqyrtojë raportet e ekspertëve kushtetues të caktuar nga mazhoranca dhe opozita.

Sa i përket raportit të ekspertëve të mazhorancës, nisma e PD-LSI-së paraqet mundësi për dublim në mënyrë të papërshtatshme dhe pengim të zbatimit të dispozitave që rregullojnë funksionimin e gjykatave të posaçme, prokurorisë së posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, sikurse edhe institucioneve përgjegjëse që merren me procesin e dekriminalizimit. Sipas eksperit të shumicës, kjo nismë e opozitës krijon konflikt me organet e reja të drejtësisë.

Ndërkohë, tjetër gjë mendojnë ekspertët e opozitës në raportin e tyre, ku shkruhet se organet e drejtësisë dhe procesi i vettingut kanë një mision dhe një qëllim të ndryshëm, që nuk përjashtojnë apo plotësojnë njëra-tjetrën. Ekspertët e opozitës sqarojnë se kontaktet e papërshtatshme me krimin e organizuar nuk përbëjnë një vepër penale dhe për këtë gjë nuk janë objekt i punës së SPAK-ut dhe BKH-së. Sipas tij gjithashtu, përjashtimi i politikanëve që kanë kontakte të papërshtatshme me personazhe të krimit të organizuar mund të bëhet vetëm përmes vettingut në politikë.

Raportet pritet të bëhen publike gjatë mbledhjes, që i paraprin vendimit apo opinionit të Komisionit të Venecias. Orët e fundit ndërkohë po qarkullojnë zëra sipas të cilave, “Venecia” mund të japë një vendim në formë hibride, pra të përjashtojë ndryshimet kushtetuese që kërkon PD-ja, por të propozojë që këto ndryshime të kalojnë përmes amendimit të ligjit të dekriminalizimit. Gjithsesi mbeten në kuadrin e zërave.

Por kur do të kalojë për votim në Kuvend nisma e opozitës? Komisioni i Venecias pritet të sjellë opinionin e tij nga mesi i dhjetorit e më pas Kuvendi do të mblidhet në një seancë, e cila ndoshta do të mund të shtohet shtesë në kalendarin e punimeve, ndoshta më 27 dhjetor.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit