Viktima e torturës nga regjimi sirian: Ishte torturë madje të merrnim frymë

Mos i humb

Ahmet Helmi, 29-vjeçar i cili tashmë tri vite është mbajtur në burg pas arrestimit pranë portës së Universitetit të Damaskut me arsyetimin për pjesëmarrje në protestat kundër regjimit të Bashar al-Asadit, e ka të pamundur t’i harrojë torturat që ka përjetuar gjatë qëndrimit në burg.

Helmi, i cili ka studiuar inxhinierinë e ndërtimit në Universitetin e Damaskut, ishte arrestuar dhe i ishte konfiskuar letërnjoftimi gjatë një kontrolli në universitet me pretekstin se kishte qenë pjesë e protestave në qytetin Daraya.

I dërguar fillimisht në një burg të fshehtë brenda universitetit, Helmi fillimisht ishte goditur nga kolegët që mbështesnin regjimin, ndërsa më pas u dërgua në një burg nëntokësor nga ana e inteligjencës. Helmi, i cili ditët atje i përshkruan si “ferr”, pas nënshtrimit ndaj të gjitha llojave të torturave u dërgua në Burgun Adra të Damaskut.

Helmi u strehua në Turqi pas lirimit me kaucion, ndërsa aktualisht zhvillon aktivitete për të mbështetur personat e shpëtuar nga burgjet e regjimit dhe familjet e tyre.

Në një bisedë me Anadolu Agency (AA), Helmi rrëfeu torturat të cilat i përjetoi për tri vite me radhë në burgjet e regjimit.

Ai tregon se regjimi kishte kryer një ndërhyrje të përgjakshme në protestën paqësore të organizuar në qytetin Daraya në afërsi të Damaskut nga ana e të rinjve sirianë, të cilët, siç thotë ai, kanë vuajtur nga regjimi shtypës.

Më tej Helmi thekson regjimi i Asadit u ndaloi të rinjve sirianë liritë dhe e drejta e tyre për pjesëmarrje në politikë, ndërsa ata që kundërshtuan u morën nëpër burgje.

Sipas tij, protestat synonin që të mundësonin lirinë e shprehjes, pjesëmarrjen në politikë, një qeverisje të drejtë dhe shoqëri dhe media të lira. Megjithatë, shton ai, forcat e regjimit hapën zjarr ndaj tyre me plumba të vërtetë.

Duke rrëfyer burgosjen e tij në universitet, Helmi shprehet: “Në atë çast, unë shikova qiellin, duke menduar se po e shihja për herë të fundit. Në burg, kolegët e mi pro-regjimit më goditën pa asnjë sqarim. Akuza, vërtetësia e krimit dhe hetimi për ta nuk kishte rëndësi”.

– “Torturat vazhduan pa ndërprerje në 15 ditët e para”

Siç thotë Helmi, te regjimi i Asadit nuk ekzistonin ndjenjat njerëzore si mëshira.

“Teksa në njërën anë ushtarët më merrnin në pyetje, në anën tjetër më torturonin sikur para tyre nuk kishte një njeri, por një gjallesë e shëmtuar dhe pa shpirt. Torturat vazhduan pandërprerë në 15 ditët e para. Iu nënshtrova torturave si shtrirja në fallaka, vendosja e plagëve të përgjakura në ujë të kriposur, mpirja e trupit duke m’i vendosur këmbët në ujë të ftohtë, elektroshoku, dëgjimi i zërave të lartë elektrik”, rrëfen Helmi.

Ai thotë se ndaj të burgosurve, krahas torturave fizike, janë zbatuar edhe tortura psikologjike.

“Ishin 630 persona në një fjetore. Për shkak se nuk kishte vend për të gjithë, ne ndërroheshim, pra, një grup qëndronte në këmbë 12 orë, kurse grupi tjetër ulej. Për dy muaj jetuam në errësirë”, thotë ai.

“Pas disa muajve në errësirë, ne u hodhëm në dritë të fuqishme…Krahas torturave, vdekjet u rritën edhe për shkak të mungesës së higjienës, sëmundjeve dhe mungesës së ilaçeve. Torturë ishte edhe të merrnim frymë, pasi të gjithë vendit i vinte erë vdekjeje”, rrëfen Helmi.

Gjatë qëndrimit në Turqi, ku erdhi pas daljes nga burgu, Helmi thotë se tani merret me aktivitete vullnetare për të mbështetur viktimat e torturave në burgjet në Siri.

Helmi thekson se torturat që përjetoi kanë ndikuar negativisht në jetën e tij.

“Për një kohë të gjatë nuk munda ta tejkaloj frikën që kisha ndaj policëve dhe ushtarëve. Megjithatë, frikën arrita ta mposht duke parë respektin dhe dashurinë midis policëve turq dhe qytetarëve”, thotë Helmi.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit