“Vitin e kaluar na u kalb i gjithë prodhimi i patateve”, Basha krah fermerëve të Kukësit: Do keni mbështetje nga qeveria e ardhshme

Mos i humb

Kryetari i Partisë Demokratike gjatë vizitës në Kukës, ishte edhe në dy Novosej dhe Shishtavec, dy zonat e njohura për kultivimin e patates. Gjatë bisedës me fermerët e këtyre dy fshatrave, kreu demokrat u njoh me krizën e thellë të fshatit dhe mungesën e ndihmës së shtetit në këto zona të thella malore.

Fermerët i thanë zotit Basha se jetojnë me shumë vështirësi, rinia ka ikur e gjitha në emigracion, ndërsa prodhimet e patates janë detyruar t’i groposin se s’ka treg shitje mjaftueshëm për prodhimet e tyre.

“Këto vitet e fundit këtu, po të vësh re edhe njerëzit që janë këtu të pranishëm, është fenomen mjaft i madh i emigracionit. Duke qenë se njerëzit janë tërë kohën nuk kanë parë asnjë dritë jeshile, pjesa më e madhe kanë emigruar. Këtu pothuajse kanë ngelur më shumë pleq edhe plaka. Nuk e di, domethënë ne kemi qenë të varfër gjithmonë këtu po kemi qenë me shpresë, tani vazhdojmë të jemi të varfër por fatkeqësisht nuk kemi as shpresë”, – thotë një prej banorëve në fshatin Novosej.

https://www.facebook.com/plugins/video.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Flulzimbasha.al%2Fvideos%2F1070260643400656%2F&show_text=0&width=560

Një problem i madh në këtë zonë është mungesa e tregut, çka i ka detyruar banorët që shpesh herë të groposin patatet.

“Vjet kisha unë 150 kuintal të mëdhaja, kualitet i parë për treg dhe arritëm mos të shes asnjë, të gjitha u kalbën në gropë. Mu kalbën të gjitha. 150 kuintal po ishte njëfarë gjobe e madhe për ne, se ishte buka e fëmijëve, e gjitha buka e familjes kishte punuar për atë”, – thotë një tjetër fermer.

Ndërsa tregu bie, kostoja e prodhimit sipas fermerëve është gjithnjë më e lartë.

“Nafta është shtrenjtë që është kryesore. Kur ta marr unë shtrenjtë unë naftën fermeri nuk mundet ta përballoj. Kërkojmë subvencion sidomos për pataten për far atë reja edhe mundësisht me mekanik bujqësore. Ka ik koha e parmendës”, – shprehet i revoltuar një banor tjetër i fshatit të njohur të patates, Novosej.

Kryetari Basha duke dëgjuar problematikat e shumta e quajti mëkat mënyrën sesi është trajtuar kjo zonë nga shteti, duke u braktisur plotësisht.

“Është mëkat që një zonë me kaq shumë traditë ku prodhimet tuaja kanë bërë emër në Shqipëri dhe në të gjithë rajonin ta gjej në një varfëri të tillë. Është mëkat I dyfishtë që në një kohë kur njerëzit po vuajnë për ushqimet bazë ne nuk arrijmë të garantojmë shitjen e patates tuaj dhe nuk arrijmë të lajmë as shpenzimet që ju keni hedhur për ta rritur këtë patate. Shqipëria po mbytet me prodhime të subvencionuara të fermerëve të huaj. Pse? Sepse ne nuk jemi në krahun tuaj, sepse qeveria nuk është në krahun tuaj. Nesër ju garantoj që do të jem në krahun tuaj, jo me fjalë por me subvencione, me mbështetje direkte për fermerët. Kjo është rruga e vetme për të shpëtuar bujqësinë, për të ndalur emigracionin, se dhe t’ju iki gjithë rinia në emigracion, ndërkohë që ka pasuri të jashtëzakonshme vendi, ka mundësi të jashtëzakonshme”, – iu tha Basha banorëve të Novosej.

Pas Novosej, Basha u ndal edhe në fshatin tjetër të njohur në mbarë vendin për kultivimin e patates, në Shishtavec. Edhe në këtë fshat situatë e njëjtë: fermerë të braktisur dhe krah pune gjithnjë e më i pakët.

“Asnjë lloj subvencionim, asnjë lloj, na duhet përkrahje nga qeveria nga shteti. Sektor më i vështirë që ekziston, bujqësia dhe blegtoria është një punë më e vështirë”, – i thotë Bashës një prej banorëve të moshuar të fshatit.

“Unë jam babai i 5 vajzave. Të gjithë me shkollë të mesme, tre me shkollë të lartë. Vajzën e fundit psikologe e kam. Ka dy vjet që ka mbaruar. Ka mbaruar me nota të shkëlqyera, psikologe, me master me të gjitha, ka dy vjet pa punë. Shko atje, kush ta var. Të ishte djalë e kishte marrë rrugën vetë herët. Ç’të bëjmë. Jemi në borxh deri në fyt”, – rrëfen një tjetër banor që duhet të përballet me krizën e thellë ekonomike pa asnjë ndihmë.

Por megjithë këtë krizë, banorët kanë edhe mesazhe shprese për kryetarin Basha.

“Këtu njerëzit kanë jetuar të gjithë me forcat e veta pa përkrahjen e shtetit. Po ti je i ri ma merr mendja, do t’i bësh ca gjëra edhe kam besim shumë të plotë”.
Shefi i opozitës iu tha këtyre banorëve se nuk premton mrekullira, por i garantoi ata se qeveria e ardhshme do të jetë në krah të tyre për t’i ndihmuar dhe jo për t’i zhvatur.

“Nuk do të bëjmë mrekullira, por kur e ke qeverinë në krah dhe jo duke gërrmuar xhepat, por duke të ndihmuar me aq sa mundet, të jesh i sigurt që gjërat do të jenë mirë për të gjithë këtë familje të madhe. Sepse qeveria është një familje e madhe. Kështu që të garantoj, do kesh përkrahje. Do keni përkrahje, do keni mbështetje nga qeveria e ardhshme. Gjërat do të ndryshojnë, kështu që të jemi bashkë se e di që është kohë e vështirë kudo, por ndryshimi është ai që iu thashë, prindi që kujdeset për fëmijën dhe prindi që nuk kujdeset për fëmijët, qeveria që kujdeset për qytetarët apo qeveria që e ka mendjen te vetja e vetë. Ka ardhur koha të kemi një qeveri në krahun tuaj, t’iu mbështes, t’iu përkrah, të bëjë gjithçka për t’ua bërë më të lehtë jetën, jo më të vështirë. Kjo do të jetë qeveria që do të vijë. Unë ju jap fjalën që në çdo aspekt do kemi sy për të parë, vesh për të dëgjuar problemet tuaja dhe së bashku do bëjmë maksimumin për t’i zgjidhur”, – u shpreh Basha gjatë takimit me banorët e Shishtavecit

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit