Vjen lajm i keq për vizat, Kosova nuk është në axhendë

Mos i humb

Vendimi i Qeverisë për taksën 100% për produktet nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina nuk mund të jetë pengesë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, edhe pse Bashkimi Europian ka bërë thirrje vazhdimisht për heqjen e kësaj takse.

Ministrja e Integrimit Europiane, Dhurata Hoxha, tha se kjo taksë nuk ka mundësi të ndikojë në mosliberalizimin e vizave.

Ajo tha se BE-ja që nga fillimi është shfaqur e padrejtë dhe kritikuese vetëm ndaj shtetit të Kosovës, por jo edhe të Serbisë, edhe pse është ngritur kjo çështje prapë nuk ka pasur asnjë reagim nga Brukseli siç reaguan ndaj Kosovës në vënien e taksës.

“Jo, janë procese tërësisht të ndara, edhe çështja e taksës, edhe e liberalizimit të vizave. Nga fillimi i procesit kanë qenë disa vende që kanë qenë hezituese, janë nga shtete të mëdha që janë hezituese që ende vazhdojnë të jenë, qoftë me taksë apo pa të, nuk është proces i ndërlidhur aspak, por ne çfarë po vërejmë është se BE-ja po është i zëshëm kur Kosova merr vendimin për taksa, ndërsa nuk ka qenë i zëshëm apo nuk e ka kritikuar Republikën e Serbisë kur vite me radhë qysh nga anëtarësimi i Kosovës në CEFTA ne kemi pas trajtim të pabarabartë, të padrejtë. Kemi kërkuar, kemi dërguar letra, e kemi ngritë këtë çështje në BE dhe asnjëherë nuk kemi parë ndonjë reagim zyrtar nga Brukseli për drejt Serbisë, ndërsa ne kur vendosim të mbrojmë ekonominë dhe prodhuesin tonë atëherë e shohim reagimin, duhet të ketë një sqarim të pozicioneve”, tha Hoxha për Ekonomia Online.

“Kemi reaguar tërë kohën, sepse ka pas barriera të ndryshme që u janë bërë mallrave të Kosovës, prodhimet e Kosovës janë trajtuar me standarde të vështira”, tha ajo.

Hoxha tha se disa shtete të BE-së po hezitojnë që kosovarëve tu hiqen vizat, për shkak të politikave të tyre të brendshme dhe se vazhdimisht duhet lobuar edhe pse Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret.

“Është e njohur edhe për publikun që janë disa vende që po hezitojnë, por hezitimet e tyre nuk janë ndaj Kosovës, por për shkak të rrethanave të tyre të brendshme politike, lobimi ka ecur mirë në këto vende nga të cilat kemi marrë përkrahje, mirëpo ende duhet të vazhdohet ky lobim, ende duhet të komunikojmë me vende anëtare dhe t’u shpjegojmë atyre që Kosova nuk do ta keqpërdorë procesin e liberalizimit dhe ajo që është me rëndësi është që të bëhet e ditur që Kosova ka përfunduar detyrat e veta dhe kjo është konfirmuar shumë herë tanimë nga KE, Komiteti LIBE, PE”, tha Hoxha.

Hoxha tha se nuk ka ende informacione zyrtare, mirëpo në agjendën e publikuar për mbledhjen e Këshillit të Ministrave të BE-së për datën 6 dhjetor, Kosova nuk figuron fare që është në rend dite për çështjen e liberalizimit të vizave, raporton EO.

“Nuk kemi marrë informata zyrtare që nuk do jetë apo do jetë, mirëpo çfarë kemi parë është se është publikuar agjenda e takimit të këshillit më 6 dhjetor, është e publikuar dhe aty nuk figuron liberalizimi apo pika e liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës. Është me të vërtetë për keqardhje, sepse ne kemi përfunduar punët tona dhe tani i mbetet BE-së ta kryejë pjesën e vet të marrëveshjes. Marrëveshja ka qenë tërë kohën, ky proces është teknik po sa të plotësohen kriteret, ne më pastaj do liberalizojmë vizat për qytetarët e Kosovës dhe tani po e vërejmë një mungesë të vullnetit politik nga shtetet anëtare që të lëvizin përpara, ka mbetur vetëm hapi i fundit, tjerat publikimi në gazetën zyrtare, plotësim-ndryshimi i rregullores të gjitha këto janë procese teknike që nëse ka vullnet politik në shtete anëtare shumë shpejt mund të përfundojnë”, tha ajo.

Hoxha u shpreh e dëshpëruar me mungesën e vullnetit politik nga shtetet e BE-së ndaj lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës.

Ajo tha se ka vende tjera që me më pak kritere kanë lëvizje të lirë, ndërsa Kosova ende është në pritje.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit