VLERA E BESIMIT NË FSHEHTËSINË – GAJBIN DHE KUPTIMI I TIJ

Mos i humb

Falënderimi i takon vetëm se Allahut që na bëri musliman dhe na dalloj nga jobesimtarët. Falënderimi i takon vetëm se Allahut i Cili na dhuroi mendjen dhe na dalloj nga kafshët. Lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi Muhamedin, të birin e Abdullahut dhe rob i Allahut.

O ju njerëz, frikojuni Allahut dhe dijeni se imani është cilësia dalluese e fitimtarëve nga atyre të humburve në mesin e bijve të Ademit. Allahu i Madhëruar thotë: Për kohën! Me të vërtetë, njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin”. (El-Asr: 1-3)

Katër cilësi janë shpëtuese nga humbja e vërtet: Imani, vepra e mirë, këshilla në të vërtetën dhe këshilla në durim.

Nuk arrihet deri tek imani me shpresa apo me pretendime dhe prejardhje, por imani është ajo që ngulitet në zemër dhe e vërtetojnë veprat. Imani është besim me zemër, të shprehurit me gjuhë dhe vepër e gjymtyrëve, shtohet me nënshtrime dhe dobësohet me gjynahe.

Një nga veçoritë më të mëdha të imanit është imani në fshehtësitë (gajbin). Allahu i Madhëruar thotë: “Ky është Libri në të cilin nuk ka dyshim. Ai është udhërrëfyes për të devotshmit, të cilët besojnë në të fshehtën, falin namazin dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne”. (El-Bekare: 2-3)

Me besim në fshehtësinë – gajbin e nënkuptojmë atë që ti nuk e sheh mirëpo i beson thellësisht duke iu mbështetur lajmeve të sakta të arritura nga ana Allahut dhe të Dërguarit të Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Muslimani beson në Allahun, melekët e Tij, librat e Tij, të Dërguarit e Tij, beson në Ditën e Kiametit dhe i beson caktimit të Allahut, në të mirën dhe të keqen e tij. Po ashtu i beson të gjithë asaj që e ka paralajmëruar Allahu dhe i Dërguari Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, nga ngjarjet e mëhershme dhe ato që do të ndodhin më vonë, nga lajmet e të dërguarve dhe popujve të mëhershëm, dhe nga ajo që do të ndodhë nga shenjat e Kiametit si paraqitja e Dexhallit, zbritja e Isait, alejhi selam, dalja e Jexhuxhëve dhe Mexhuxhëve, dalja e kafshës, lindja e diellit nga perëndimi dhe nga shenjat e tjera për të cilat na ka lajmëruar i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, se do të ndodhin para Kiametit. Muslimani po ashtu i beson asaj që do të ndodhë në jetën e varrit nga dënimi dhe begatia në varr, beson në ringjalljen, llogarinë, peshoren, Xhenetin dhe Xhehenemin.

Ai për këtë qëllim përgatitet dhe vepron dhe çështjet nuk i neglizhon. Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë, për ata që largohen nga rruga e Allahut, ka dënim të ashpër, ngaqë e kanë harruar Ditën e Llogarisë”. (Sad: 26); “O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen! Kijeni frikë Allahun, sepse Ai di çdo gjë që bëni ju!” (El-Hashër: 18)

Kush e stolis veten me këtë besim dhe në të është i bindur fort nuk e lejon që dynjaja ta preokupojë e ta largojë nga ky besim që pastaj të radhitet në mesin e atyre që për ta Allahu thotë: “Por ju, përkundrazi, më shumë po e parapëlqeni jetën e kësaj bote, ndonëse jeta tjetër është më e mirë dhe e amshuar”. (El-A’la: 16-17)

Allahu iu kërcënua rreptë atyre që e posedojnë këtë cilësi dhe tha: “Atëherë, ai që ka shkelur gjithçka dhe ka parapëlqyer jetën e kësaj bote”. (En-Naziat: 37-38)

Besimtari nuk e lejon që dynjaja të ndikojë në ahiretin e tij po ai dynjanë e shfrytëzon si arë ku në të mbjell dhe shpreson të korrat t’i merr më vonë, për arsye se ai e di se kjo dynja është kalimtare dhe se ahireti është vendbanimi i tij i përhershëm. Pra Allahu besimtarit ia bashkon të mirat e dynjasë me ato të ahiretit, kurse jobesimtarit ia humb dynjanë dhe ahiretin. Allahu i Madhëruar thotë: “Disa njerëz të tjerë e adhurojnë Allahun me kusht: Nëse u ecën mbarë, janë të kënaqur, por, nëse i godet fatkeqësia, ata kthehen në mohim e kështu humbasin këtë botë dhe tjetrën. Pikërisht kjo është humbja e qartë”. (El-Haxh: 11)

Abdurrahman ibën Zejd ibën Eslem, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë se këto janë cilësi të hipokritit, të cilit kur i përmirësohet dynjaja merret me adhurime e kur i shkatërrohet dynjaja atëherë i ndryshohet zemra dhe nuk i afrohet adhurimeve kurse kur e kaplon ndonjë sprovë apo vështirësi atëherë e le fenë dhe i kthehet mosbesimit.

Nga besimi në fshehtësitë është që besimtari të veprojë me sheriatin e Muhamedit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe t’i nënshtrohet atij edhe pse nuk e takuar asnjëherë. Disa nga sahabët i thanë të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “A ka popull i cili ka shpërblime më shumë se ne. I besuam Allahut dhe të pasuam ty. Ai, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, u përgjigj: “Çka ju pengon nga kjo? Të Dërguarin e Allahut e keni në mesin e juaj i cili ju vjen me shpallje nga ana e Allahut. Po pas jush do të vijnë popuj që do t’ju sillet Libri mes dy pllakave i besojnë atij dhe veprojnë me të. Ata kanë dyfish më shumë shpërblime se sa ju”.

Në një hadith tjetër përcillet se ai që kapet për fenë e tij gjatë periudhës së sprovave e ka shpërblimin e pesëdhjetë sahabëve. Ebu Thalebe el Hashenij, Allahu qoftë i kënaqur me të, e pyeti të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, rreth ajetit: “O besimtarë! Ju keni përgjegjësi vetëm për veten tuaj! Ai që është i humbur nuk mund t’ju dëmtojë, nëse jeni në rrugë të drejtë. Tek Allahu do të ktheheni të gjithë e do t’ju lajmërojë për atë që keni punuar”. (El-Maide: 105) dhe i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i tha: “Urdhëroni të mirën dhe ndaloni nga e keqja, derisa ju të shihni të ndiqen epshet dhe të preferohet dynjaja (më shumë se ahireti) dhe secili njeri do të mashtrohet nga mendimet e tij personale. Kujdesuni për veten tuaj dhe largohuni nga njerëzit e zakonshëm sepse ta dini që pas jush do të ketë ditë durimi, në ato ditë kush kapet për fenë Allahut është njëlloj sikur të mbajë prushin në dorë. Kush është i aftë ta bëjë këtë (të durojë) do të ketë shpërblimin e 50 personave.

Sahabët pyetën: O i Dërguari i Allahut, shpërblimin e 50 nga ne apo nga ata? Ai, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, iu përgjigj: “Shpërblimin e 50 nga ju”.

Ebu Hurejra, Allahu qoftë kënaqur nga ai, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë. “Ai që kapet për traditën time gjatë periudhës kur shkatërrohet Umeti im e ka shpërblimin e dëshmorit”.

Besimi në fshehtësinë – gajbin po ashtu e përfshin edhe atë që i nënshtrohet Allahut dhe veprën e ka të sinqertë për Allah pa marrë parasysh a vepron në mesin e njerëzve apo në vetmi. Allahu i Madhëruar thotë: Vërtet, për ata që i frikësohen Zotit të tyre pa e parë Atë, do të ketë falje dhe shpërblim të madh”. (El-Mulk: 12); “që e ka pasur frikë të Gjithëmëshirshmin, edhe atëherë kur nuk e shihte kush, e që ka ardhur me zemër të kthyer (nga Allahu)”. (Kaf: 33)

Këto cilësi janë të krejtësisht të kundërta me ato të munafikut i cili paraqitet se e adhuron Allahun në publik kurse kur vetmohet e mohon Zotin e tij. Allahu thotë: “Kur takohen me besimtarët, ata thonë “Besojmë”– por, kur mbesin vetëm me djajtë e tyre, thonë: “Në të vërtetë, ne jemi me ju; ne vetëm po talleshim”. (El-Bekare: 14)

Besimi në të fshehtën e dallon njeriun që logjikon dhe ka mendje nga njeriu shtazarak i cili nuk beson përveç se atë që e percepton dhe e sheh. Ky i përngjason besimit të kafshëve i cili nuk e dallon me diçka njeriun nga kafshët dhe nuk i bën kurrfarë dobie. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe, kur panë dënimin Tonë, ata thanë: “Tani ne nuk besojmë në askënd tjetër veç Allahut dhe i mohojmë idhujt që ia shoqëronim Atij (në adhurim)”. Por besimi i tyre nuk u solli kurrfarë dobie, kur panë dënimin Tonë. I tillë është ligji i Allahut, që ka vepruar gjithmonë midis robërve të Tij. Të humbur kanë qenë jobesimtarët”. (El-Gafir: 84-85)

Faraoni kur e pa se po fundoset tha: “Besoj se s’ka zot tjetër përveç Atij që i besojnë bijtë e Izraelit; dhe unë jam ndër myslimanët”. (Junus: 90) kurse Allahu iu përgjigj: “Vallë, tani (po beson), ndërkohë që më parë ishe i padëgjueshëm dhe ngatërrestar?!”. (Junus: 91)

Ky është ligji i Allahut mbi secilin i cili pendohet kur e sheh se i vjen dënimi i tij mirëpo atëherë është vonë dhe pendimi i tij nuk pranohet. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë. “Me të vërtet, Allahu i Lartësuar ia pranon pendesën robit përderisa nuk i ka ardhur shpirti në fyt”. Pra robit kur i vjen shpirti në fyt dhe i afrohet meleku i vdekjes më atëherë për të nuk ka pendim, pendimi i tij nuk pranohet.

O robër të Allahut, prandaj frikojuni Allahut dhe dijeni se Allahu i Lartësuar thotë: O njerëz! Pa dyshim, premtimi i Allahut (Dita e Gjykimit) është i vërtetë, prandaj të mos ju mashtrojë kurrsesi jeta e kësaj bote dhe të mos ju mashtrojë djalli për Allahun. Me të vërtetë, djalli është armik për ju, andaj vështrojeni si armik! Ai vetëm i josh ithtarët e vet, që të bëhen shokë të zjarrit të përflakur”. (Fatir: 5-6)

Dr. Salih El Feuzan

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit