E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin tonë. E ardhmja e Moldavisë është në Bashkimin tonë. Dhe unë e di se sa e rëndësishme është perspektiva e BE-së për shumë banorë të Gjeorgjisë, deklaroi sot kryetarja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen në fjalimin e saj për Gjendjen e Bashkimit në Parlamentin Evropian.
“Për Ukrainën ne kemi propozuar 50 miliardë euro të tjera gjatë katër viteve për investime dhe reforma. Kjo do të ndihmojë në ndërtimin e së ardhmes së Ukrainës për të rindërtuar një vend modern dhe të begatë. Dhe kjo e ardhme është e qartë për t’u parë. Ky parlament e ka thënë me zë të lartë që edhe e ardhmja e Ukrainës është në Bashkimin tonë”, theksoi ajo.
“Anëtarësimi” në BE bazohet në merita dhe Komisioni do ta mbrojë gjithmonë këtë parim. Duhet punë e madhe dhe lidership. Por, tashmë ka shumë përparim. Ne kemi parë hapat e mëdhenj tashmë të bërë nga Ukraina që kur i dhamë statusin e kandidatit. Dhe ne kemi parë vendosmërinë e vendeve të tjera kandidate për të zbatuar reformat”, theksoi Von der Leyen.
”Është e nevojshme të mendojmë se si të përgatitemi për një bashkim të përfunduar”, nënvizoi ajo.
”Nuk është fjala vetëm për thellimin e integrimit apo për zgjerimin e Bashkimit, pasi ne mund dhe duhet t’i bëjmë të dyja”, shpjegoi më tej presidentja e BE-së.
”Jam e bindur për mundësinë e arritjes së objektivave të përbashkëta edhe duke kaluar nga 27 shtetet aktuale anëtare në mbi 30. Në një botë ku madhësia dhe pesha kanë rëndësi, është qartësisht në interesat strategjike dhe të sigurisë të Evropës që të plotësojnë Bashkimin tonë”, tha ajo.
”Por, përtej politikës dhe gjeopolitikës, ne duhet të kuptojmë se çfarë është në rrezik. Ne duhet të përvijojmë një vizion për një zgjerim të suksesshëm. Një Union i plotë me më shumë se 500 milionë persona që jetojnë në një bashkim të lirë, demokratik dhe të begatë. Një bashkim i plotë i të rinjve që mund të jetojë, studiojë dhe punojë në liri. Një bashkim me demokraci të gjallë, ku gjyqësori është i pavarur, opozita respektohet dhe gazetarët janë të mbrojtur, sepse shteti i së drejtës dhe të drejtat themelore do të jenë gjithmonë themeli i Unionit tonë – në shtetet anëtare aktuale dhe të ardhshme”, nënvizoi ajo.