Prej 11 Janarit vijon procesi për regjistrimin e zgjedhësve nga jashtë Shqipërisë. Nga të dhënat e publikuara në KQZ, deri më tani kanë aplikuar 8773 shqiptarë. Nga këto janë miratuar 1130 kërkesa.
Sipas gjinisë, rezulton se janë më të shumtë meshkujt ata që kanë shprehur interesin për të votuar, 72.06% krahasuar me 27.94% të femrave.

Shqiptarët jashtë vendit duhet të aplikojnë përmes PER për t’u regjistruar në zgjedhje. Ata mund ta aksesojnë Platformën Elektronike të Regjistrimit nëpërmjet aplikacionit të KQZ në telefon, po ashtu edhe nga website i KQZ në hapësirën e votuesve nga jashtë.
KQZ ka shpjeguar se çdo shtetas që jeton jashtë duhet të krijojë një llogari në PER.
Ai/ajo ka dy opsione për krijimin, qoftë nëpërmjet numrit, apo email-it që duhet të jenë të saktë. Më pas vjen një mesazh nga KQZ me një kod 6-shifror që përdoret vetëm 1 herë.
Pasi shkruhet kodi vazhdohet me hapat e radhës, ku zgjedhësit i kërkohet të krijojë një fjalëkalim të ri, që duhet të përmbajë 8 karaktere në total.
Më pas zgjedhësi vendos të dhënat e tij personale, të cilat duhet të jenë në përputhje me ato që ka në mjetin e identifikimit, qoftë kartë identiteti apo pasaportë.
Pasi zgjedhësit i konfirmohet që krijoi profilin e tij ai mund të aplikojë kërkesën e tij për t’u regjistruar.