Opozita në Guatemalë ka akuzuar kreun e Agjencisë së Emergjencave Civile (CONRED) për mosdhënien e paralajmërimeve shumë kohë përpara shpërthimit të vullkanit vdekjeprurës “Fuego”, e për pasojë kërkon dorëheqjen e tij.
Fshatra të tëra në shpatet e malit vullkanik u mbuluan nga hiri dhe balta, pas shpërthimit të “Fuego”-s. Disa shpërthime të tjera më të vogla, temperaturat e larta të shkëmbinjve dhe mbetje të tjera e kanë bërë shumë të vështirë punën e ekipeve të kërkim-shpëtimit.
Më shumë se 1.7 mln njerëz u prekën në një mënyrë apo një tjetër nga shpërthimi i së dielës, ndërsa mbi 3.000 të tjerë janë evakuuar.
Ekspertë vullkanologjikë thonë se i kishin paralajmëruar zyrtarët të evakuonin zonat përreth vullkanit “Fuego” orët e para të së dielës, për shkak të rritjes së aktivitetit sizmik, por pretendohet se agjencia “CONRED” nuk veproi në mënyrë të menjëhershme.