Xhaçka dhe Dendias: Vullnet i përbashkët për arritjen e kompromisit

Mos i humb

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka priti sot në një takim homologun grek, Nikos Dendias.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, ministrja Xhaçka vlerësoi marrëdhëniet me vendin fqinj, teksa theksoi rëndësinë e bashkëpunimit për gjetjen e zgjidhjeve për çështje në interes të dy palëve.

“Jemi duke diskutuar në mënyrë intensive me fqinjët dhe miqtë tanë grekë si dhe të punojmë bashkërisht për të adresuar të gjitha problemet që duhet ende të zgjidhen, dhe që janë në interes të dy vendeve tona, në interes të popujve tanë. Jam e lumtur që kemi mirëkuptim për të trajtuar dhe për të kërkuar zgjidhje për të gjithë gamën e çështjeve, sado të vështira, që kemi trashëguar nga historia. Në këtë kuadër të diskutimit të rrugëve për kapërcimin e problemeve të trashëguara nga e kaluara historike, një nga çështjet e trajtuara ishte edhe ajo e kufizimit të zonave detare, si një çështje në interes të dy vendeve tona. Të dyja palët kanë vullnetin për kërkimin e një kompromisi që do të bënte të mundur referimin e çështjes tek Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë”, tha Xhaçka.

Sipas saj, ky intensifikim i kontakteve të nivelit të lartë është shprehje e vullnetit tonë të përbashkët për të forcuar bashkëpunimin tonë dhe për të thelluar edhe më tej marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe me vendin fqinj dhe mik.

“Ne e konsiderojmë Greqinë një fqinj të çmuar, por edhe partner të besueshëm në rrugën tonë të integrimit evropian. Këto shkëmbime të shpeshta dhe të hapura pikëpamjesh dëshmojnë qartë se dialogu dhe bashkëpunimi midis dy vendeve tona mike zhvillohet në të gjitha fushat me interes të ndërsjelltë, duke pasqyruar rëndësinë strategjike të bashkëpunimit dypalësh, rëndësi e cila shtrihet në rrafshin rajonal e më gjerë”, theksoi Xhaçka.

Për ministren Xhaçka jo më pak i rëndësishëm se diskutimi i këtyre çështjeve me karakter historik, është përcaktimi i mënyrave për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike.
Duke e cilësuar Greqinë si një ndër partnerët më të rëndësishëm tregtarë dhe në lëmin e investimeve, ministrja kërkoi thellim të bashkëpunimit edhe në fusha si mbrojtja sociale dhe kultura, fusha ku komuniteti shqiptar në Greqi dhe minoriteti grek në Shqipëri janë vërtet ura për thellimin e bashkëpunimit.

“Produkt i këtij diskutimi është edhe kërkesa jonë për fillimin e takimeve në nivel ekspertësh për negocimin dhe nënshkrimin potencialisht të një marrëveshje për mbrojtjen sociale apo pensioneve, nga i cili do të përfitojnë edhe shqiptarët që punojnë dhe jetojnë në Greqi. Po ashtu diskutuam edhe kërkesën tonë për avancimin e mësimit të gjuhës shqipe nga komuniteti shqiptar në Greqi, si dhe çështje të tjera në interes të drejtpërdrejtë për shtetasit tanë që jetojnë në Greqi”, shtoi ajo.
Lidhur me situatën në rajon Xhaçka u mirëpriti angazhimin e Greqisë për adresimin e problematikave, sipas saj, të mbetura ende pa zgjidhje.
“Sa i përket situatës në rajon por edhe më tej, Dendias sot vjen nga një tur rajonal, dhe ne e mirëpresim shumë angazhimin e tij personal dhe angazhimin e Greqisë në adresimin e problematikave të mbetura ende të pazgjidhura në rajonin tonë por edhe situatës së sigurisë në Evropë për të cilën diskutuam gjërësisht, siç e thashë ne jemi aleatë në NATO dhe ndajmë të njëjtën qasje strategjike në mbrojtje të parimeve dhe vlerave mbi të cilat është ndërtuar siguria e kontinentit tonë, duke dënuar sulmin që u është bërë këtyre parimeve dhe vlerave nga agresioni rus në Ukrainë”, u shpreh ministrja.

Në këtë situatë, tha ajo, “integrimi euro-atlantik i rajonit merr rëndësi parësore dhe ky proces duhet të përfshijë domosdoshmërisht edhe Kosovën”.
Ajo i shprehu mirënjohjen homologut grek për punën e tij për vëmendjen që po i kushton rajonit dhe rolin e tij konstruktiv në zgjidhjen e problematikave të mbetura.
“Greqia është mbështetëse e perspektivës së integrimit të rajonit tonë në BE dhe më lejo i dashur Nikos të të falënderoj edhe një herë për mbështetjen në këtë proces jetik për Shqipërinë, për shqiptarët dhe për stabilitetin e rajonit tonë në tërësi”, deklaroi Xhaçka.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit