Xhaferi-Kiti: Italia mbështet perspektivën euro-atlantike të Maqedonisë

Mos i humb

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi priti në një takim kryetarin e Komisionit për Politika Europiane në Senatin e Republikës së Italisë, Vanino Kiti.

Në takim, bashkëbiseduesit kanë vlerësuar lartë marrëdhëniet mes dy shteteve, duke i konsideruar miqësore dhe pa çështje të hapura, ku Xhaferi shprehu shpresën se në të ardhmen e afërt do të intensifikohet komunikimi i drejtpërdrejtë ndërmjet shtëpive ligjvënëse të të dy vendeve, si në nivel të komisioneve, ashtu edhe në nivel të kryetarëve të Parlamenteve.

Siç njofton kabineti i kryeparlamentarit të Maqedonisë, Xhaferi ka falënderuar bashkëbiseduesin e tij italian për mbështetjen e vazhdueshme që Italia e jep për perspektivën euro-atlantike të Maqedonisë dhe theksoi se bëhen përpjekje serioze për arritjen e rezultateve konkrete në zbatimin e reformave, me qëllim të marrjes së datës për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian në vitin 2018.

Kryetari Xhaferi, thuhet më tej, e informoi mysafirin se me qëllim të përforcimit të komunikimit ndërmjet fqinjëve përmes dialogut të hapur për zgjidhjen e problemeve, është lidhur Marrëveshje për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë dhe përveç kësaj, ka përkushtim të tërësishëm për angazhim aktiv në biseda me Greqinë, nën ombrellën e OKB-së, për gjetjen e zgjidhjes së ndërsjellë të pranueshme dhe zgjidhjes dinjitoze për dallimin me emrin që vendi e ka me Greqinë.

Kryetari i Komisionit për Politika Europiane në Senatin e Republikës së Italisë, Vanino KitiKryetari i Komisionit për Politika Europiane në Senatin e Republikës së Italisë, Vanino Kiti

Senatori Kiti ka nënvizuar se në Senatin italian ekziston përkushtim dhe interes për kultivimin dhe thellimin e lidhjeve ndërparlamentare me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe se, edhe pse në Itali në muajin mars do të mbahen zgjedhje parlamentare, pret që kjo vizitë të jetë bazë e mirë për komunikim, kontakt dhe bashkëpunim më intensiv të përbërjes së ardhshme.

Duke e theksuar rolin e rëndësishëm të Kuvendit në procesin e reformave, ai i përshëndeti përpjekjet për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe theksoi se Italia tërësisht e mbështet integrimin euroatlantik të Republikës së Maqedonisë.

Në raport me bashkëpunimin ekonomik, u konstatua se Italia është partner i rëndësishëm tregtar i Republikës së Maqedonisë, ndërsa bashkëbiseduesit e përshëndetën bashkëpunimin e suksesshëm në fushën e mbrojtjes, punëve të brendshme, shëndetësisë, pushtetit lokal, kulturës, arsimit dhe shkencës.

Në Republikën e Italisë jetojnë numër i konsiderueshëm i qytetarëve me prejardhje nga Maqedonia, që ishte vlerësuar si faktor jashtëzakonisht i rëndësishëm për thellimin e marrëdhënieve të ndërsjella dhe bazë e mirë për ndërlidhje dhe ndërtim të miqësisë./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit