Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho reagoi sot për buxhetimin e sistemit arsimor, ndërsa solli në vëmendje raportin e fundit të UNESCO-s, ku theksohet se “Shqipëria duhet urgjentisht të përmirësojë financimin për sektorin e arsimit”.
Në një deklaratë për mediet, Xhixho u shpreh se “ky vit i ri nisi me vlerësimin e parë negativ nga një raport ndërkombëtar”.
“UNESCO, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, e cila konkludon në analizën e saj se Shqipëria duhet urgjentisht të përmirësojë financimin për sektorin e arsimit dhe për një shpërndarje më të mirë të burimeve. Raporti konstaton një përkeqësim progresiv të raportit mes shpenzimeve për arsimin me buxhetin dhe prodhimin e brendshëm bruto”, tha ajo.
Sipas Xhixhos, “raporti i UNESCO-s nuk është gjë tjetër veçse një zë i shtuar në përpjekjen tonë, për faktin se sot arsimi është në emergjencë kombëtare”.
“Vetëm pak ditë më parë, buxhetit të pamjaftueshëm për arsimin, qeveria i hoqi edhe 700 milionë lekë. Shkurtimi i fondeve të arsimit, në një kohë kur shkollat dhe degët universitare po mbyllen me një ritëm dramatik, analfabetizmi funksional rritet nga dita në ditë dhe rezultatet në testet PISA vijnë vetëm duke u përkeqësuar, është prova më e qartë se për këtë qeveri, arsimi nuk ka qenë e nuk do të jetë prioritet ndonjëherë”, shtoi ajo.
Xhixho theksoi se “gjatë vitit që lamë pas, arsimi në Shqipëri është financuar sa 2,29% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, niveli më i ulët i të gjitha vendeve të Ballkanit dhe shumë larg premtimit mashtrim të qeverisë në 2013 për 5% PPB”.
“Pagat e mësuesve, më të ulëtat në rajon, evidentohen në raportin e UNESCO -s. Ato janë arsyeja pse degët e mësuesisë po braktisen masivisht dhe vendi rrezikon të mbetet pa mësues brenda pak vitesh. Raporti i UNESCO e vë theksin edhe te decentralizimi i iniciuar në vitin 2015, që e ndan përgjegjësinë e menaxhimit të shkollave mes Ministrisë së Arsimit dhe bashkive. Ky decentralizim i dështuar ka sjellë si pasojë shkolla pa ngrohje edhe në mes të Tiranës, mësim me turne e mbingarkesë të stafeve pedagogjike”, tha ajo.
Sipas Xhixhos, “qeveria nuk e ka prioritet arsimin as në 2025-n. Buxheti nuk mbështet investimet në arsim, madje ka cunguar një pjesë të tyre. Për vitin 2025, investimet do të jenë: arsimi bazë 0%; arsimi i mesëm 0%; arsimi i lartë -11,9%; kërkimi shkencor -22,8%; sporti 1,3%. Këtij injorimi total që qeveria i ka bërë arsimit, Partia e Lirisë iu përgjigj me amendimin e buxhetit në fund të dhjetorit”.
Xhixho solli në vëmendje se Partia e Lirisë propozoi një rritje prej 6,2 miliardë lekësh për të tre nivelet e arsimit, kërkimin shkencor dhe sportin, por amendamentet e saj u rrëzuan.
Po ashtu, ajo siguroi se Partia e Lirisë do të dyfishojë pagat e mësuesve duke i rikthyer dinjitetin këtij profesioni, që në fakt është një mision, që gjithashtu do të mbështesin financiarisht studentët që zgjedhin degët e mësuesisë.
“Do të trajtojmë me investime prioritare degët e teknologjisë dhe informacionit për të përgatitur brezin e ri me sfidat e kohës”, tha Xhixho.