Xhixho: Traumë dhe dëm i madh për fëmijët, po cënohet arsimimi i tyre

Mos i humb

Deputetja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho me anë të një deklarate për mediat ka reguar ditën e sotme në lidhje me mbylljen e kopshtit të fëmijëve Zubejde Hanim të institucionit arsimor Turgut Ozal, i cili sipas saj përmes shkeljeve flagrante të legjislacionit vendas dhe atij ndërkombëtar nga kjo qeveri, edhe sot e kësaj dite vuan zvarritjet e qëllimshme të procesit gjyqësor, duke mos i dhënë përgjigje padisë së depozituar pranë Gjykatës Administrative të Rrethit Gjyqësor Tiranë nga 132 prindër dhe fëmijë.

Ajo shtoi se “si grua, si nënë dhe si deputete, e kam parë me shqetësim të madh traumën dhe dëmin e madh që u është dashur të kalojnë fëmijët gjatë kësaj periudhe, si edhe vështirësitë me të cilat po përballen prindërit për këtë padrejtësi që është bërë karshi tyre”.

Deklarata e plotë:

Të nderuar qytetarë!
Mbyllja e kopshtit të fëmijëve Zubejde Hanim të institucionit arsimor Turgut Ozal, përmes shkeljeve flagrante të legjislacionit vendas dhe atij ndërkombëtar nga kjo qeveri, edhe sot e kësaj dite vuan zvarritjet e qëllimshme të procesit gjyqësor, duke mos i dhënë përgjigje padisë së depozituar pranë Gjykatës Administrative të Rrethit Gjyqësor Tiranë nga 132 prindër dhe fëmijë.

Kur kanë kaluar më shumë se 6 javë nga mbyllja e këtij institucioni, përpjekjet e prindërve dhe fëmijëve përmes formave demokratike të reagimit, vazhdojnë të përballen me arrogancën e qeverisë dhe gjykatave shqiptare.

Protesta e fëmijëve përballë Kryeministrisë, si protesta më e jashtëzakonshme që ka ndodhur ndonjëherë në vendin tonë, ra në vesh të shurdhër të Qeverisë shqiptare, dhe sot, kur kërkohet vetëm drejtësi nga institucionet e drejtësisë për këtë çështje me interes publik dhe ndjeshmëri të madhe, prindërit përballen me zvarritje të procesit dhe shkelje afatesh, duke e cenuar rëndë atë.

Ky është një nga rastet e rralla kur në një padi të paraqitur në gjykatat shqiptare, paditës janë jo vetëm prindër dhe qytetarë në moshë madhore, por edhe fëmijë të grupmoshës 3 deri në 6 vjeç.

Kjo dosje e cila ndër të tjera argumenton të gjitha të drejtat e pamohueshme që burojnë nga legjislacioni shqiptar dhe Konventat Ndërkombëtare ku vendi ynë është palë, sidomos kur bëhet fjalë për të drejtën universale të arsimit të fëmijëve, dokumenton gjithashtu dëmin psikologjik të shkaktuar tek fëmijët pas vendimit të MAS për mbylljen e kopshtit, i vërtetuar ky përmes 20 akt-ekspertizave nga psikologë të licencuar në Republikën e Shqipërisë.

Përmes refuzimeve të marra nga kopshtet publike të sugjeruara nga Ministria e Arsimit, dosja dokumenton pamundësinë e prindërve për t’i sistemuar fëmijët në kopshtet e tejmbushura.

Si grua, si nënë dhe si deputete, e kam parë me shqetësim të madh traumën dhe dëmin e madh që u është dashur të kalojnë fëmijët gjatë kësaj periudhe, si edhe vështirësitë me të cilat po përballen prindërit për këtë padrejtësi që është bërë karshi tyre.
Të nderuar qytetarë.

Kujtoj këtu që bëhet fjalë për cenimin e arsimit të fëmijëve nga 3 në 6 vjeç, shumë të vegjël për tu përballur me sfida dhe sprova të kësaj natyre. Zhgënjimi me të cilin po e nisin jetën që në këtë moshë, do të lërë gjurmë të thella në të ardhmen e tyre.
Ndaj, sot kërkoj që kësaj situate t’i jepet zgjidhje e menjëhershme.

Fëmijët e këtij institucioni dhe çdo fëmijë tjetër në Republikën e Shqipërisë gëzojnë të drejtën universale dhe kushtetuese të arsimimit, që as nuk i jepet nga qeveritë e kryeministrat, e as nuk mund t’u mohohet prej tyre përmes disa vendimeve që mbështeten në interesa të ngushta politike.

Asnjëri nga ne, s’mund t’i edukojë fëmijët me frymën e padrejtësisë, ndaj thirrja ime sot është për sistemin e drejtësisë që të japë sa më parë drejtësi për fëmijët dhe prindërit.

Gjithashtu i bëj thirrje Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë që shkelja e afateve në procesin gjyqësor të jetë pjesë e hetimeve nga ky institucion, pasi drejtësia së pari duhet të respektojë afatet për të garantuar një proces të shpejt, eficent, dhe me integritet për qytetaret që sot presin për një drejtësi të paanshme në vend.

Kërkojmë që të vihet përpara drejtësisë kushdo që ka abuzuar me ushtrimin e detyrës dhe ka shkaktuar këtë dhimbje dhe shqetësim për vogëlushët dhe prindërit e tyre.

Ne solidarizohemi dhe inkurajojmë prindërit për ta vazhduar këtë betejë, dhe do jemi krah tyre për të vendosur drejtësi dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në këtë vend.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit