Xhixho: Trefishim i bonusit të bebes, vendi në “dimër” demografik

Mos i humb

Partia e Lirisë kërkon që përkrahja e familjeve që bëhen me fëmijë të jetë një emergjencë kombëtare dhe për këtë kërkon nga qeveria trefishim të bonusit të bebes dhe heqjen e kategorizimit në bazë të numrit të fëmijëve.

Kështu deklaroi sot nënkryetarja e Partisë së Lirisë dhe deputetja Erisa Xhixho, në daljen për mediet nga Kuvendi duke shtuar se shkresa i është drejtuar qeverisë.

“Në Kuvend ka ardhur projektligji “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë” ku po diskutohen amendamentet sa i përket bonusit të bebeve, një ligj i cili në kontekstin e sfidave që po kalon familja shqiptare sot, merr një rëndësi të madhe”, tha Xhixho.

“Shqipëria po përballet me emigrimin masiv, i cili së bashku me rënien drastike të numrit të lindjeve janë bërë shkaktarë të tkurrjes së popullsisë. Ky dimër demografik po rrit me shpejtësi moshën mesatare të popullsisë së Shqipërisë, kur para pak vitesh ishte një nga vendet më të reja në Europë. Numri i lindjeve ka rënë me rreth 17% në tremujorin e parë të vitit 2023, duke arritur në nivelet më të ulëta historike në shumë dekada. Ky është numri më i ulët i lindjeve i regjistruar ndonjëherë në një tremujor, të paktën që pas viteve ‘90”, theksoi Xhixho.

“Në këtë situatë dramatike që po kalon vendi, përkrahja e familjeve që bëhen me fëmijë është emergjencë kombëtare. Duke i asistuar financiarisht këto familje, mund të përmirësojmë kushtet e tyre dhe nga ana tjetër të inkurajojmë çiftet e reja për të sjellë në jetë fëmijë”, përfundon Xhixho.

“Për këto arsye, i jam drejtuar me një letër zyrtare qeverisë me një propozim konkret për trefishimin e bonusit të bebes.  Aktualisht, në Shqipëri, bonusi mesatar për një fëmijë të lindur është 60 000 lekë. Ne propozojmë trefishimin e kësaj shume në 180 000 lekë për çdo fëmijë që vjen në jetë, qoftë ky fëmija i parë apo i dytë, fëmijët binjakë apo më shumë. Gjithashtu propozojmë heqjen e kategorizimit në bazë të numrit të fëmijëve”, tha Xhixho.

“Në bazë të përllogaritjeve tona, kostoja totale në buxhetin e shtetit brenda një viti do të jetë afërsisht 4.9 miliardë lekë. Kjo kërkesë synon  që t’i përgjigjet sadopak krizës ekonomike që po kalojnë familjet shqiptare, rritjes së çmimeve të naftës dhe produkteve të shportës”, shton Xhixho.

“Është emergjente dhe jetike për të luftuar shpopullimin dhe uljen e madhe të numrit të lindjeve, që të rrisim mbështetjen financiare për fëmijët e sapolindur. Përpara një situate dramatike, kjo është një shumë e përballueshme për buxhetin e shtetit, mjafton që taksat e qytetarëve t’i çojmë në dobi të tyre dhe të ardhmes së tyre”, vijon Xhixho.

Aktualisht, bonusi i bebes jepet 40 000 lekë për foshnjën e parë, 80 000 lekë për foshnjën e dytë, 120 000 lekë për foshnjën e tretë dhe foshnjeve të tjera. Për prindërit që sjellin në jetë binjakë, masa e përfitimit është në masën 80 000 lekë për secilën foshnjë, për prindërit që sjellin në jetë trinjakë dhe më shumë, masa e përfitimit është në masën 120 000 lekë për secilën foshnjë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit