
Organizata terroriste YPG/PKK ka shndërruar në shtab një kishë armene në qendrën e qytetit Tal Abyad në lindje të lumit Eufrat, raporton Anadolu Agency (AA).
Në kishën e filmuar nga AA shihet se vendi i përcaktuar për leximin e meshës nga ana e priftit është i mbushur me posterë të kreut të organizatës terroriste, Abdullah Öcalan.

Ky seksion i kishës, i quajtur nga armenët si “horan”, ruan privatësinë sipas besimit të tyre dhe në të mund të hyjë vetëm prifti.
Kisha u çlirua përmes operacionit “Burimi i Paqes”
Kisha, e cila u mësua të jetë mbyllur, uzurpuar dhe shndërruar në shtab nga ana e terroristëve, u çlirua dhe u mor nën mbrojtje si rezultat i operacionit antiterrorist turk “Burimi i Paqes”.
“Kur hymë në Tal Abyad, nuk iu afruam kishës. Nuk deshëm që ajo të dëmtohet nga përleshjet”, tha për AA Ebu Abdo, një komandant i Ushtrisë Kombëtare Siriane (SNA), pjesëmarrëse në operacion së bashku me ushtrinë turke.
“Ne i ftojmë vëllezërit e krishterë dhe armenë të kthehen në Tal Abyad. Ata mund të vijnë në kishë dhe të kryejnë ritet. Ne jemi vëllezër”, shtoi ai.
Organizata terroriste YPG/PKK, krahas shtëpive të civilëve, ka shfrytëzuar edhe objektet fetare për të kryer sulme ndaj territorit të Turqisë.
Terroristët në veçanti kanë shfrytëzuar minaret për të vendosur snajperistë.
Më 9 tetor, Turqia nisi operacionin “Burimi i Paqes” në lindje të lumit Eufrat në veri të Sirisë për të siguruar kufijtë e saj duke eleminuar elementet terroriste dhe për të garantuar kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe integritetin territorial të Sirisë.
Ankaraja synon ta pastrojë rajonin në lindje të lumit Eufrat nga terroristët e PKK-së dhe dega e saj siriane, PYD/YPG.
Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian, është përgjegjëse për vdekjen e rreth 40.000 njerëzve, përfshirë shumë gra dhe fëmijë.


