Zaev: Bashkëpunimi rajonal ka rëndësi kyçe në lidhjen e qytetarëve dhe shteteve

Mos i humb

Maqedonia sot dhe nesër është nikoqir i Samitit të Parë Digjital të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që është i pari nga vargu i ngjarjeve të këtij lloji që do të organizohen në nivel vjetor, në të cilin marrin pjesë kryeministra, përfaqësues qeveritarë, biznesmenë, përfaqësues të Bashkimit Europian (BE), organizata rajonale dhe bashkësia akademike.

Samiti u hap nga kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, i cili para të pranishmëve theksoi se ky tubim do të kontribuojë për vendet e rajonit që sa më shumë të lidhen me teknologjinë e re dhe ta shfrytëzojnë për bashkëpunim sa më të mirë dhe të fuqishëm.

Ai theksoi se Qeveria do të sigurojë më shumë mjete buxhetore për realizimin e këtij qëllimi, njëkohësisht duke treguar gatishmëri që Qeveria të marrë pjesë në mbulimin e humbjes së operatorëve mobil e cila do të mund bëhej përmes zvogëlimit eventual të çmimit të shërbimeve.

“Digjitalizimi është një mundësi e cila nuk duhet lëshuar nëse dëshirojmë të sigurojmë ardhmëri. Bashkëpunimi rajonal ka rëndësi kyçe në lidhjen e qytetarëve dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ky bashkëpunim rajonal fitoi esencë me Procesin e Berlinit, veçmas me miratimin e planit në Trieste”, deklaroi Zaev.

Eurokomisionerja për Ekonomi Digjitale dhe Shoqëri, Maria Gabriel, e cila foli për përfitimet e transformimit dhe revolucionin digjital për jetën e qytetarëve, theksoi se fuqishëm është duke u punuar në përpunimin e Agjendës digjitale për Ballkanin Perëndimor, i cili është pjesë e strategjisë së BE-së për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor 2025.

Ajo paralajmëroi se ky proces nuk do të jetë i lehtë, dhe se pikat kyçe drejt realizimit të tij do të jenë sigurimi i mjeteve, gatishmëria e administratës publike, infrastruktura e internetit, por edhe rritja e besimit të qytetarëve në botën digjitale.

“Përshëndesim vullnetin e operatorëve mobil nga rajoni që marrin pjesë në dialogjet konstruktive për uljen e çmimit të roamingut, i cili në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe BE është shumë i lartë. Çështja e roamingut është e domosdoshme dhe e dobishme për biznesin dhe qytetarët”, tha Gabriel.

Fjalim pati edhe ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës i Maqedonisë, Damjan Mançevski, i cili tha se ekziston vullnet politik tek të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe se për herë të parë transformimi digjital gjendet aq lartë në agjendat politike, që komenton si shenjë se edhe politikanët janë ndryshuar.

Nga samiti dyditor pritet të dalë kërkesa e përbashkët deri te Komisioni Europian për njohjen e ndërsjellë të certifikatave digjitale, konkretisht nënshkrimeve dhe vulave digjitale. Në samit marrin pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Denis Zvizdiç.

Gjatë dy ditëve do të bisedohet për uljen e çmimit të roamingut, siguria kibernetike, për rritjen e aftësive digjitale, të qytetarëve dhe lidhja e ndërsjellë digjitale e vendeve të rajonit.

Samiti digjital i Ballkanit Perëndimor është pjesë e Procesit të Berlinit dhe ka për qëllim koordinimin rajonal dhe afrimin e rajonit me Europën.

Në samiti marrin pjesë përfaqësues nga Austria, Anglia, Franca, Italia, Gjermania, Sllovenia dhe Kroacia./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit