Zaev për emrin: Shpresoj sot të kemi lajme të mira për opinionin

Mos i humb

 

Të hënën kishim avancim cilësor të bisedimeve me Greqinë, për çka shpresoj se sot, do të kemi lajme të mira për opinionin, deklaroi kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, duke komentuar bisedën telefonike që zhvilloi dje me kryeministrin grek Alexis Tsipras.

Në një prononcim për gazetarët në Shkup, kryeministri Zaev tha se mbetet një optimist i përkushtuar se zgjidhja e çështjes së emrit është diçka e mundshme, megjithatë siç tha, sot do të zhvillojë një bisedë thelbësore me kryeministrin grek, për të rrumbullakuar të gjitha aspektet me të cilat do të përmbushen pritjet e të dyja palëve, për zgjidhjen e problemit shumë dekadash.

“Nëse sot arrihet një marrëveshje, dhashtë Zoti të ndodhë, ne menjëherë do të njoftojmë opinionin për të gjitha detajet, sepse nëse ndodhë marrëveshja, do të duhet të përgatisim axhendën e takimit në Prespë, që është dëshirë e kamotshme”, tha Zaev, i cili porositi se megjithatë duhet të pritet nëse do të arrihet marrëveshja.

Zaev tha se emrat që lakohen janë me përcaktimin Veriore, e Epërme, e Vardarit, ato të cilat tashmë përfolen në opinion, por tha se asgjë nuk është përfundimtare.

Të hënën, zëdhënësi i qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski, përmes një kumtese informoi se është realizuar biseda telefonike e paralajmëruar kohë më parë mes kryeministrit të Maqedonisë dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Aleksis Tsipras, e cila ka ka zgjatur një orë.

Ai nuk dha detaje të hollësishme, por vetëm tha se dy kryeministrat kanë biseduar për çështjet e pazgjidhura për të cilat kanë dhënë disa ide.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit