Zdrukthëtari i verbër nga Ferizaj: ja si ja dalë ta bëjë këtë punë

Mos i humb

Secila punë ka sfidat e veta, por mjeshtria e zdrukthatrisë konsiderohet ndër më të vështirat për shkak të mjeteve të mprehta. Megjithatë këtë punë e bëjnë jo pak njerëz në Kosovë. Por Daut Hoxhën, 42-vjeçar nga qyteti i Ferizajt, kjo punë është edhe më specifike për faktin se ai është person i verbër.

Por, sa e konsideron Hoxha të rrezikshme punën që bën?

“Sadopak është e rrezikshme, por unë e bëjë me një kujdes të veçantë dhe nëse bëhet një gjë me kujdes, atëherë nuk është problem për askënd. Unë jam mësuar dhe nuk kam ndonjë telashe të madhe tek makinat dhe mjetet tjera, sepse e bëj me kujdes të veçantë. E di se deri në cilën masë është sharra. Largësinë e sharrës e llogaris me dorë, i iki rrezikut dhe punoj pa problem. Të rrish pasiv është shumë keq, sepse merr shprehi të ndryshme. Unë jam aktiv, punoj dhe nuk është ndonjë lloj pune që është kushedi se sa e zorshme. E punoj me vullnet dhe me qejf”, ka thënë Hoxha për Radion “Evropa e Lirë”.

Ai thotë se në punishten e zdrukthëtarisë, e cila është pronë e familjes së tij dhe gjendet pranë shtëpisë ku jeton ai, e kalon një pjesë të mirë të ditës, duke punuar orendi prej druri, por edhe materiale të tjera të cilat i kërkojnë klientët e tij.

Ai thotë se brenda punishtes orientohet dhe lëvizë në mënyrë mjaft të lehtë dhe të mirë, duke i ditur saktësisht ku dhe si janë të vendosura materialet e drurit, por edhe të gjitha mjetet dhe makinat e punës, të cilat i nevojiten veç e veç, varësisht nga ajo çfarë është duke punuar.

“E kam rutinë dhe këtë punë e bëjmë, si familje, prej viteve të 70-a. Por, unë dhe vëllezërit e mi e kemi filluar pas luftës. Këtu jemi afërsisht rreth 18 vjet dhe po e zhvillojmë këtë aktivitet të përpunimit të drurit. Në vazhdimësi punojmë dyer masive të drurit, por punojmë edhe gjëra të tjera që i porositin. Ne punojmë këtu vetëm me porosi. Nuk punojmë për treg, por vetëm me porosi, për shembull, mik pas miku, për çka do që ka nevojë”.

Ai e quan veten me fat që e ka shansin të punojë dhe tregojë punën e tij. Siç thotë ai, një numër tejet i madh i personave të verbër kërkojnë që vetëm t’u jepet mundësia për të treguar se janë të aftë të punojnë në punë të ndryshme dhe të jetojnë nga puna e tyre, duke mos u bërë barrë e shoqërisë. Zhvillimi i teknologjisë, sipas tij, ka ndihmuar edhe personat e verbër që të jenë në rrjedhën e zhvillimeve në fusha të ndryshme.

Hoxha është kryetar i Shoqatës së Personave të Verbër në Ferizaj, ku përpiqet të punojë për të mirën e komunitetit, si trajnues ne informatikë dhe për alfabetin “Braille”, sistem ky i shkrimit dhe leximi në reliev për personat e verbër.

Gjithashtu, ai është edhe student absolvent i Drejtësisë në “Kolegjin AAB”. /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit