Zgjedhje të reja në Himarë, Rama: Duhet të presim gjyqin për Belerin

Mos i humb

“Nuk është qeveria që thërret zgjedhjet e reja në Shqipëri, është Presidenti ai që i thërret”.

Kështu deklaroi sot kryeministri Edi Rama në një intervistë për gazetën prestigjioze greke “Kathimerini”, teksa iu përgjigj pyetjes së gazetarit Pavlos Papadopoulo, nëse do të thërrasë zgjedhje të parakohshme për Himarën.

“Këtu, ndoshta, mund të siguroni një lajm. Nuk jam i sigurt nëse duhet. Nuk jam i sigurt nëse duhet ta merrni, sepse ende nuk jam i sigurt se si do të shkojë. Po, para së gjithash, nuk jemi ne, nuk është qeveria që thërret zgjedhjet e reja në Shqipëri, është Presidenti ai që i thërret. Ndërkohë, mënyra sesi shkon procesi është kështu: sipas ligjit tonë, nëse një person i zgjedhur nuk paraqitet për bërjen e betimit për çfarëdo arsye – nuk është e përcaktuar – pra, kur nuk paraqitet për t’u betuar brenda 90 ditëve, i takon qeverisë të veprojë duke shkarkuar personin dhe duke vendosur një kujdestar në detyrë derisa të zhvillohen zgjedhjet e reja, të cilat shpallen nga Presidenti”, sqaroi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “iu kam kërkuar juristëve të mi të përgatisin një opinion dhe nuk e di cili do të jetë, por mendoj se ky rast është tejet specifik. Nuk ka një precedent për këtë, kur është hartuar ligji askujt nuk i ka shkuar ndërmend një situatë e tillë. Instikti im apo reagimi im i parë është se, ndoshta, do të na duhet të presim procesin gjyqësor, derisa të provohet nëse ai është fajtor apo i pafajshëm”.

Sidoqoftë, vijoi Rama, ky nuk është opinion ligjor është thjesht një mendim i imi për faktin se nuk kemi realisht asnjë precedent dhe pastaj, kjo do të hapte shteg për shumë interpretime.

“Më duhet të pres departamentin ligjor, por kjo mund të shkojë qoftë në një drejtim, qoftë në tjetrin. Kjo është edhe përgjigjja e duhur, mund të ndjekim njërin apo tjetrin drejtim, bazuar në argumentimin e departamentit tonë ligjor.

Pyetjes se politikisht mbështet idenë se Beleri duhet të vazhdojë të jetë kryetar i zgjedhur deri në procesin e tij gjyqësor, Rama iu përgjigj se “nuk është vetëm politikisht, sepse në këtë tryezë, duhet të marrësh vendime, në tryezën tuaj duhet t’i komentoni vendimet”.

“Në këtë tryezë, duhet të marrësh vendime dhe ka shumë gjëra që duhet t’i filtrosh e t’i kuptosh, por, në këtë rast, sigurisht, duhet të shohim opinionin ligjor dhe mendoj se ka një mundësi që të mos veprojmë derisa gjykata të marrë vendimin. Në këtë rast, u japim të gjithëve shansin që ta ndjekin deri në fund, nëse është e mundur. Nëse kjo është e pamundur ligjërisht, do të na duhet ta shkarkojmë, pra mund t’i ndjekim të dyja rrugët”, tha Rama duke shtuar se di që ka edhe një gjë tjetër që po interpretohet, se kur nis numërimi, pra nga cila ditë do të nisë numërimi?

“Dhe pastaj ka ca njerëz që bërtasin se do të vijnë në Himarë dhe vijnë mbajnë protestën më unike në historinë e Europës. Ca njerëz të zgjedhur në një vend tjetër, që vijnë këtu të protestojnë kundër autoriteteve të këtij vendi, ky është rast unikal”, tha Rama.

Gazetari grek tha se “nuk është rast i vetëm Kryeministër. Bënë të njëjtën gjë në Stamboll, për Imamoglunë. Kostas Bakojanis, kryetari i bashkisë së Athinës shkoi në Stamboll për të protestuar në mbështetje të Ekrem Imamoglusë, kryetari i bashkisë”.

“Jo! Jo, kjo është diçka tjetër. Kjo është ndryshe, nuk është e njëjta gjë. Megjithatë, ndoshta vjen nga Greqia e lashtë, nuk e di, prandaj ndoshta dhe ju e dini më mirë si diçka tipike greke. Nuk jam mësuar me këtë, por ajo që dua të them është se nuk jemi të të njëjtit mendim as për numërimin, kështu që nuk do të merremi me këtë dhe pastaj do të marrim vendimin tonë. Mund të shkojë në secilin drejtim”, tha Rama.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit