Zgjedhjet/ Proda porosi punonjësve të Policisë: Profesionalizëm për të përmbushur këtë detyrë të shenjtë

0
51

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda ka pasur një mesazh për të gjithë punonjësit e Policisë lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve ditën e nesërme.

Ndërkohë, gjatë instruktazheve në të gjitha DVP-të, punonjësit e Policisë janë pajisur me librin e xhepit, ku janë të pasqyruara detyrat e punonjësve të Policisë.

Paraditen e sotme, në ambientet e Drejtorive Vendore të Policisë, përfundoi instruktazhi me punonjësit e Policisë që janë planifikuar për ruajtjen fizike të objekteve zgjedhore, ku do të zhvillohet procesi i votimit.

“Ju përgëzoj për përkushtimin dhe profesionalizmin e deritanishëm nga ana juaj dhe e drejtuesve tuaj, dhe ju inkurajoj që këto ditë finale të jenë pasaportë besimi dhe vlerësimi nga qytetarët dhe ndërkombëtarët për Policinë e Shtetit. Maturi, gjakftohtësi dhe ligji si udhërrëfyes, për ta përmbushur me sukses këtë detyrë të shenjtë në interes të qytetarëve dhe të vendit”, shprehet Proda, drejtuar policëve.

Të gjithë punonjësve të Policisë të angazhuar në procesin zgjedhor u janë shpërndarë librat e xhepit me detyrat që duhet të përmbushë çdo punonjës policie i angazhuar në fazën finale të këtij procesi. Ky libër është prodhuar nga Policia e Shtetit.

Punonjësit e Policisë janë shpërndarë në vendet e planëzuar për shërbim, për ruajtjen e objekteve zgjedhore.