Zgjedhjet vendore në Shqipëri, përfundon numërimi i votave

Mos i humb

Në Shqipëri ka përfunduar procesi i numërimit të votave në të gjithë territorin e vendit për zgjedhjet vendore që u mbajtën më 30 qershor.

Partia Socialiste e Shqipërisë udhëheq në rezultatet për kryetar të bashkive dhe në rezultatet për anëtarë të këshillave bashkiake në rang vendi, ndërsa lista zyrtare e fituesve pritet të shpallet në ditët në vazhdim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj, tha se sipas të dhënave paraprake në sistemin elektronik të institucionit zgjedhor rezulton se kanë marrë pjesë në votime 812.249 zgjedhës ose 22.97 për qind e numrit të përgjithshëm të zgjedhësve prej 3.536.016.

Pas përfundimit të procesit të numërimit dhe miratimit të tabelave të rezultateve nga Komisionet e Zonës së Administrimit Zgjedhor (KZAZ), ka nisur dorëzimi në KQZ i kutive të votimit dhe kutive me materialet zgjedhore.

Hoxhaj deklaroi se rezultati përfundimtar zyrtar do të shpallet vetëm pas përfundimit të afateve ankimore në rrugë administrative pranë KQZ-së apo ankimimeve të mundshme në Kolegjin Zgjedhor.

Zgjedhjet vendore në Shqipëri

Zgjedhjet vendore për kryetarët e 61 bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë u zhvilluan sipas dekretit të parë të presidentit të vendit, Ilir Meta, i cili u anulua më 10 qershor.

Dekreti i ri që përcakton 13 tetorin si datë për zgjedhjet vendore nuk është mbështetur dhe njohur nga kryeministri Edi Rama.

Në zgjedhje mori pjesë partia në pushtet, Partia Socialiste e Shqipërisë (PS), e drejtuar nga Rama e cila udhëheq koalicionin e emërtuar “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, së bashku me disa parti aleate të saj.

Nga ana tjetër, partitë kryesore opozitare, Partia Demokratike (PD) dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), bojkotuan zgjedhjet vendore, ndërsa pjesë e procesit zgjedhor ishin disa parti të tjera opozitare parlamentare dhe joparlamentare.

Pas këtyre zhvillimeve, presidenti Meta, ka propozuar që 13 tetori 2019 të jetë jo vetëm data e zgjedhjeve lokale, por edhe e atyre parlamentare dhe presidenciale.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit