Zgjidhja për Telekomin, stop plaçkitjes!

Mos i humb

Zgjidhja e problemeve financiare në Telekomin e Kosovës mund të bëhet vetëm duke ndalur plaçkitjen që po i bëhet nga politika.

Kështu thanë ekspertë të fushës së telekomunikacionit në tryezën e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje, me temën “Telekomi i Kosovës, gjendja, shkaqet, zgjidhja.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se dikur Telekomi i Kosovës i sillte me dhjetëra milionë euro dividentë vendit tonë, ndërsa tani ka ardhur në gjendje për të pasur problem me pagesat e punëtorëve.

Sipas tij, kompania më fitimprurëse e Kosovës, aktualisht është në krizë si biznes, por jo si pasuri. Kreu i VV-së ka shtuar se situata e tillë financiare nuk është rastësi apo pasojë e rrethanave jashtë, por si pasojë e përgjegjësisë së qeverive të Kosovës dhe vendimeve të marra prej vitit 2007 e deri me sot.

“Prej tenderëve të kurdisur të Z-mobile, e për Z-mobile, e deri të ushtruesi më i ri i detyrës së kryeshefit ekzekutiv që vinte si kryetar i degës së AAK-së në Drenas, korrupsioni e krimi nuk janë ndalë në Telekomin e Kosovës”, tha Kurti.

Profesori i eksperti i telekomunikacionit, Ismet Hamiti, ka folur rreth shkaqeve që e kanë sjellë Telekomin e Kosovës në këtë gjendje dhe hapat që duhet ndërmarrë për të stabilizuar gjendjen në kompani. Madje, sipas tij, në këtë gjendje kompaninë më fitimprurëse e kanë sjellë politika dhe politikanët.

“Në këtë gjendje është vetëm për një arsye sepse të hyrat e telekomit plaçkiten, vidhen, plaçkiten nuk e di, por aty afër janë. Si e tha dikush, vjedhja bëhet tinëz, e plaçkitja bëhet hapur, e këtu kemi plaçkitje se po bëhet para syve tonë, derisa po flasim tash plaçkitemi. Edhe kemi institucione, kemi Qeveri, kemi rregullator, kemi të gjitha të zezat e të mirat i kemi, por nuk vepron kush. Përmes një mekanizmi të tillë si Z-Mobile, sot Telekomit të Kosovës i plaçkiten 30 për qind të të hyrave të saj, së paku 30 për qind. Kjo është gjendja momentale. Por, ky nuk është vetëm krimi kryesor, pasoja kryesore e këtij krimi, humbja e fondeve. Me këto fonde grupe të pazgjedhura ushtrojnë pushtet, pushtetin real në këtë vend”, tha Hamiti.

Sipas tij, nuk ka askund në botë që një biznes me vetëdije t’i bëjë vetes konkurrencë, sikurse ka bërë Telekomi i Kosovës, kur ka shpallur tenderë për operatorin virtual të telefonisë mobile ish-Dardafonin, tash Z-Mobile.

Hamiti ka porositur të gjithë ata që po e hanë dhe plaçkitin këtë vend, nuk do të kenë mundësi të shpëtojnë nga drejtësia.

“Zgjedhja është ndërprerja e plaçkitjes në këtë rast. Kjo është zgjedhja për telekomin. Ky është shembull shkollor i krimit të organizuar lehtësisht i provueshëm. Prandaj, prokuroria e ka në dorë t’i jap fund plaçkitjes së telekomit, duhet vetëm të paguhet, asgjë tjetër. Konkretisht duhet të ndërpres urgjentisht të suspendoj këtë kontratë dhe të hetoj kontratën në origjinën e vet, deri në ditët e sotme, e aty janë shumë pjesëmarrës për atë arsye është krim i organizuar. Ka ata që e nisën, ata që e realizuan, ata që e licencuan, të gjithë i ka me emër e me mbiemër”, u shpreh Hamiti.

Profesori Salem Lepaja, ka paraqitur masat që duhet të ndërmerren për zgjidhjen e problemit në Telekomin e Kosovës.

“E para,  Prokuroria e Shtetit të suspendoj menjëherë kontratën jo ligjore dhe të dëmshme mes telekomit të Kosovës dhe Dardafon-Z-Mobile i tanishëm. E dyta, Te formohet grupi për menaxhimin e krizës i përbërë nga profesionistë të telekomunikacionit dhe ekonomist me detyrë që ta nxjerrin Telekomin e Kosovës nga kriza në një afat dyvjeçar. E treta, grupi menaxhues i krizës duhet t’i ketë autorizimet e plota për veprimet e domosdoshme për kthimin e telekomit në gjendje normale.  Katërt, ky grup duhet ta bëjë ristrukturimin e brendshëm të telekomit. Dhe e pesta, e fundit, puna e grupit për menaxhimin e krizës t’i nënshtrohet mbikëqyrjes së ndërgjegjshme publike, përfshirë raportimin periodik tremujor në Kuvendin e Kosovës”, tha Lepaja.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës Driton Tali, me një paraqitje me Skype e ka quajtur tërë këtë që ka ndodhur në Telekomin e Kosovës planifikim të politikës dhe të ekzekutuar në mënyrë ekzakte ashtu siç ata kanë dashur.

Ai ka sqaruar se ndërmarrja Dardafon.net që operon me brendin Z-Mobile, fare nuk ka konkurruar në tenderin për operator, por ka qenë një kompani krejt tjetër./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit