Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa deklaroi sot se, “ndryshimi i ligjit për zonat e mbrojtura i zhdukin ato”.
Nga Parku Kombëtar i Butrintit, Zhupa u shpreh se, “vetëm para disa kohësh me një vendim të Këshillit të Ministrave për rishikimin e zonave të mbrojtura, janë hequr 800 hektarë, të cilat tani po ndërtohen resorte”.
“Me të njëjtin vendim Këshilli i Ministrave hoqi nga zonat e mbrojtura në Shqipëri rreth 2935 hektarë”, tha ajo.
Ndërkohë, shtoi Zhupa, “12 deputetë kanë propozuar ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura duke kërkuar që në zonat e mbrojtura të lejohet me ligj tashmë veprimtari ekonomike dhe veprimtari ndërtimore”.
Sipas saj, “kjo i hap rrugë njëherë e mirë shkatërrimit të këtyre zonave të mbrojtura për të ndërtuar në to resorte, hotele, kazino, biznese dhe gjithçka që ju intereson klientëve të pushtetit”.
Ajo u bëri thirrje të gjithë organizatave qeveritare, ekspertëve, specialistëve dhe mbi të gjitha të gjithë qytetarëve që të bashkohen kundër kësaj iniciative dhe të mos e lejojnë që të kalojë.
“Do të jetë një dëm i jashtëzakonshëm për Shqipërinë, për vendin tonë, për shëndetin tonë dhe do ta kthej Shqipërinë në një kantier të madh betoni dhe do të zhdukë përfundimisht çdo gjë të zonave të mbrojtura në Shqipëri”, përfundoi Zhupa.


