Zhvillohet Samiti i tretë i Diasporës në Tiranë

Mos i humb

Pas Ditës së Arbëreshëve që u zhvillua të mërkurën, sot në kryeqytet zhvillohet Samiti i tretë i Diasporës në Tiranës. Aty marrin pjesë liderët e Shqipërisë, Kosovës si dhe nga rajoni.

Samiti ka në fokus të gjithë diasporën dhe mbahet në Pallatin e Kongreseve. Në këtë event mbajtën fjalën dhe përcollën mesazhet e tyre Presidenti Bajram Begaj, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministri Edi Rama, Ministri Igli Hasani etj.

Aty ndodheshin edhe përfaqësues të shqiptarëve të Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Luginës së Preshevës etj.

“Ky samit, një faqe e re për shqiptarët”, Rama: Së bashku, asnjë objektiv s’është i paarritshëm!

Në Samitin e Tretë të Diasporës mbajti fjalën e tij dhe kryeministri i vendit Edi Rama. Ai e nisi me simbolikën e veçantë të numrit 111, referuar përvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, e duke theksuar se ky takim vjen në një moment historik.

“Shumë të nderuar miq, e të ftuar zonja e zotërinj! 111-ta, thonë sae është një numër unik në llojin e vet, bestytnitë e gojëdhanat flasin se 3 1-shat sëbashku simbolizojnë fuqinë transformuese të vendimit, për të tjerë 111-ta është numri i engjëjve apo shifra e perfeksionit të universit dhe pavarësisht konteksit, kur 3 1-shat bëhen bashkë në kalendar apo ëndrra, të parët këshillojnë meditim dhe përqendrim tek emocionet pozitive, sepse ata mendonin se këto numra që u shfaqen njerëzve para janë sinjal i një momenti historik që ka ardhur, për jetën individuale apo kolektive. Me këtë ogur të mirë, unë kam kënaqësinë e madhe t’ju them të gjithëve dhe në mënyrë të posaçmëe Presidentes së Kosovës, përfaqësuesve të lartë të shqiptarëve në RMV, në Malin e Zi, në komunën e Preshevës, mirësevini të gjithë në Tiranë, në samitin e tretë të Diasporës, në agim të 111-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.”

Ky samit 2-ditor, për kreun e qeverisë është një mundësi e të gjithë shqiptarëve bashkë për të shkruar një faqe të re, me bashkëpunim e objektiva të përbashkëta.

“Dhe përtej simbolikës, ky takim 2-ditor vjen edhe me vetëdijen e plotë se në punimet e samitit, të cilat zhvillohen intensivisht jashtë këtyre seanvcave të mëdha plenare, na është besuar mundësia që të komunikojmë bashkë për të shkruar një tjetër faqe të re për shqiptarët. Samiti është një udhëkryq ku bashkohen të gjithë, pavarësisht bindjeve apo përkatësive politike, përtej të gjitha përkatësive krahinore dhe vendodhjes së secilit, si shqiptarë që kanë diçka për të thënë, për të dhënë për mënyrën se si do u qasemi sfidave të botës ku jetojmë, e cila ndikon vendet ku ne jemi e njëkohësisht si të bashkojmë më mirë forcat për t’ja dalë në realizimin e ambiceve legjitime dhe objektivave. Patjetër që nuk mund ta lë pa përmendur se ky samit, ndodh pak ditë pasi 1-shat e Kosovës, RMV-së sëbashku në një skuadër jo vetëm e çuan Shqipërinë në Europë në kuptimin e plotë të fjalës por na ritreguan se çfarë mund të bëjmë kur bashkojmë talentet e forcat.”

“Kemi një strategji e qëllim, për të fituar. Sëbashku, asnjë objektiv s’është i paarritshëm, asnjë ëndërr nuk është e pamundur nëse jemi të vendosur ta realizojmë”, iu drejtua Rama të gjithë shqiptarëve.

Duke renditur sukseset e shqiptarëve në botë, ai tregoi dhe historinë e një emigranti të thjeshtë, e cila përçon një mesazh kuptimplotë.

“Dhe nëse ka një mësim të madh që të gjithë mund të marrim në të gjitha nivelet, nga të gjithë ata emra që na bëjnë ne krenarë si shqiptarë, sepse përmenden me shumë admirim e respekt në një botë shumë më të madhe se e jona, të gjtihë ata kanë pasur një ëndërr shumë më të madhe se sa mundësitë e tyre mund t’ua këshillon. Mira Murati, Dua Lipa, Mira Mezini, Altin Kadareja, Rita Ora, Ermonela Jaha, Lorik Cana, Igli Tare e me radhë e me radhë, janë emra të cilët kanë rrugë të ndryshme dhe kanë arritur në maja të ndryshme të botës, port ë përbashkët kanë fuqinë për t’i shkuar deri në fund ëndrrës së tyre. Këta janë ata që ne njohim, por sa janë të panjohurit! Nëse ka një mësim nga gjithë suksesi i shqiptarëve në diasporë, nga gjithë sukseset individuale, është se “asnjë ëndërr sado e madhe, kur njerëzit e shohin me sy hapur, nuk është e paarritshme përderisa e shohin, por sa njerëzit janë të gatshëm ta synojnë ta arrijnë dhe të paguajnë të gjitha kostot e asaj përpjekjeje, të ngrihen nga të gjitha rrëzimet në atë ngjitje, t’u rezistojnë lodhjeve, kjo e bën dallimin.

Ndërkohë që mendohesha se çfarë do thoja këtu, m’u kujtua historia reale ne një djali, që ishte minoren kur iku nga një zonë e thellë në Greqi, kaloi kufirin ilegalisht dhe punonte si mbledhës frutash e kursente çdo lek që merrte, aq sa flinte në pemë. Në pemën e arave ku punonte. Dhe pse i kursente? Se kishte dhe ai një ëndërr, kur kishte shkuar atje për herë të parë, ishte larë më ujë të ngrohtë në vaskë dhe kishte ëndërr ta blinte e ta çonte në fshat e të lante babain. Dhe ma ka treguar se si arriti të mbledhë lekët, të blente vaskën dhe të paguante transportin, të bënte gjithë rrugën me mallrat aty afër vaskës që të ishte i sigurt që do arrinte në destinacion, të merrte pastaj një tjetër kamionçinë dhe kur futi vaskën në shtëpi, gjtihë familja e priste, panë atë formën e çuditshme dhe menduan se djali qenka çmendur, e instaloi, hodhi dhe sapunët dhe e futi babain në vaskë. Më tha nuk doja që ai të vdiste pa provuar të lahej njëherë si njeri! Sa janë këto histori e sa ka ndryshuar sot jeta e të gjithë atyre që në vitet ’90 u larguan dhe u përballën me vulën në ballë si njerëz të padëshiruar, por mësimi i të gjithëve është sa shumë mund të bëjmë kur realisht jemi gati ta ndjekim ëndrrën dhe të kuptojmë se nëse vendet tona ku ne kemi fuqinë shtetbërëse, nuk kanë arritur për shumë e shumë kohë aty ku duhej të ishin sot, kjo ka të bëjë me aftësitë tona.”

Arifi: Kemi një front të padukshëm me Serbinë. Të unifikohemi për Preshevën, investoni më shumë kohë për ne

I pranishëm në Samitin III të Diasporës ishte edhe Shqiprim Arifi, kreu i Komunës së Preshevës.

I lindur vetë në Diasporë, duke iu drejtuar gjithë shqiptarëve në vende të huaja, ai tha se janë shembull që nuk përshkruhen me fjalë pasi edhe me mosprezencë kontribuojnë në vazhdimësi për vendin tonë.

“Duhet t’ju them që jo çdo qeveri, apo qeverisje është perfekte. Ne nuk mund të jemi perfektë në kushte të tilla. Ne kemi për të përmirësuar pikë së pari një herë veten dhe pastaj edhe të tjerët. Në këtë formë, unë dua t’ju them vëllezër dhe motra nga Diaspora që mos u dëshpëroni sepse ndonjëherë duket shumë keq, por në brendësinë e saj është duke u zhvilluar mirësia, ndonjëherë duhet të kalosh zjarrin për t’u futur edhe në xhenet, ndonjëherë duhet të tejkalosh sfidat e tua shoqërore për të pasur një sukses në të ardhmen, dhe si një djalë i kontekstualizuar dhe i indoktrinuar fatkeqësisht në Gjermani, i cili nga afër e ka parë dhe rënien e murit të Berlinit, mund t’ju them se ka shpresë edhe në vendin tonë”, tha ai.

Arifi foli drejtpërdrejtë për problematikën në Preshevë, ku tha se ka një front të padukshëm me Serbinë e cila “po i mbyt qytetarët shqiptarë përmes një procesi të ngadaltë të spastrimit etnik burokratik”. Ai theksoi se politika dhe Diaspora duhet të jenë të unifikuar sa i përket Luginës së Preshevës në veçanti, por jo vetëm.

“Sa i përket Preshevës që është halli im dhe duhet halli i gjithsecilit që gjendet dhe nuk gjendet këtu. Presheva kalon një situatë të pabesueshme, një situatë në të cilën çdo qytetar në mënyrë të përditshme , siç e ceku Presidentja Osmani mbytet ngadalë-ngadalë nëpërmjet një procesi të spastrimit etnik burokratik. Nuk e kemi një front të hapur me Serbinë, ne kemi një front të padukshëm që në një mënyrë të përditshme nga Serbia përdoret për t’u pasivizuar, diskriminuar, nënçmuar dhe për të hedhur mesazhin që shqiptarët në Luginën e Preshevës janë qytetarë të klasës së dytë, së tretë dhe së katërt.  

Në këtë kontekst politika gjithandej, por edhe Diaspora duhet të jemi të unifikuar sa i përket Luginës së Preshevës në veçanti. Një nga kërkesat e mia ka qenë çdo herë e njëjta, e kam kërkuar një strategji kombëtare të thellë që inkludon shqiptarët në Mal të Zi, në Luginë të Preshevës dhe në Maqedoninë e Veriut edhe pse janë shtetformues atje në Tiranë dhe në Prishtinë. Këtë e kam kërkuar dhe e vetmja kërkesë që është e imja politike në këtë nivel. Dhe në qoftë se ne shqiptarët në Tiranë dhe në Prishtinë nuk e kuptojmë që pa investuar, pa kultivuar, pa i ruajtur skajet e trojeve tona të cilat janë Mali i zi, e cila është Lugina e Preshevës dhe Maqedonia e Veriut në të njëjtin moment është e rrezikuar edhe Tirana, por edhe Prishtina”, tha Arifi.

Kryetari i Komunës së Preshevës tha se Diaspora nuk i ka asnjë borxh Shqipërisë. Duke u ndalur sërish tek Presheva kërkoi që nga politika të investohet më shumë kohë.

“Ne duhet të kuptojmë se jemi një, por ajo që na mungon është koha. Dëgjova Presidentin e Shqipërisë që tha Shqipëria diasporës i ka borxh. Ia lejoj vetes me fol sot në emër të Diasporës. Zoti President Shqipëria fare nuk na ka borxh asgjë, ne i kemi borxh Shqipërisë pandërprerë. E dëgjova gjithashtu dhe presidenten Osmani që tha jemi me ju në Luginë të Preshevës. Zonja Presidente, ne ju ndjejmë juve pa ndërprerë në Luginë të Preshevës. Ajo që unë dua të shtoj është koha. Çdo ditë që e humbim pa aktivitet në Luginën e Preshevës është një humbje e një qytetari shqiptar në atë vend autokton shqiptar, çdo ditë. Do ju kisha kërkuar të investoni më shumë kohë, përveç qëndrimeve tona pro neve dhe më shumë kohë për neve dhe unifikim”, tha Arifi.

Anëtarësimi në BE, Ali Ahmeti i drejtohet Ramës: Dhe pak duhet, ngrije zërin edhe më fort! Ne na ke në krah

“Sot me dituri e mençuri, ne vendet tona mund t’i kemi shumë shpejt anëtare të BE. Ashtu siç jemi në NATO, nesër do të jemi edhe në BE”. Kështu u shpreh kreu i BDI, Ali Ahmeti në fjalën e mbajtur në Samitin e Tretë të Diasporës që mbahet në Tiranë.

“…Sot Kosova është shtet i pavarur, shqiptarët në RMV janë shtetformues me të gjitha vlerat që i takojnë një kombi, me flamur, gjuhë, universitete. Shqiptarët në Mal të Zi, mbase nuk e kishim ëndërruar që do të ketë një kryeministër shqiptar, Dritan Abazoviç. Ndaj e pazëvendësueshme ka qenë mërgata shqiptare, historikisht. Që nga Bukureshti, Stambolli, Egjipti dhe më në fund, më e reja, por e larë me gjak, ajo e Europës dhe që kulmoi me UÇK. Luftërat i fituam edhe politikisht, edhe ushtarakisht edhe diplomatikisht. Sot kemi një luftë të re dhe më të fortë, t’i bëjmë të begatë atdheun tonë. Të organizohemi shumë më fort sesa jemi të organizuar. Dhe këtë mundësi mërgata e ka. Të gjithë të përkushtohemi, të gjithë të rinjtë le të kapin diturinë në universitetet me të mirë të Europës dhe SHBA dhe t’i kthehen kokëplot atdheut të tyre. Sot me dituri e mençuri, ne vendet tona mund t’i kemi shumë shpejt anëtare të BE. Ashtu siç jemi në NATO, nesër do të jemi edhe në BE.”

Ahmeti theksoi se Europa nuk mund të jetë e qetë pa Shqipërinë, Maqedoninë, Kosovën, Malin e Zi. Një mesazh të drejtëpërdrejtë e kishte edhe për kryeministrin Edi Rama.

“Dhe Europa nuk mund të jetë e qetë edhe pa Shqipërinë, Maqedoninë, Kosovën, Malin e Zi. Nuk mund të ketë paqe, stabilitet e siguri pa Ballkanin Perëndimor. Në fund të fundit, djepi i Europës është Mesdheu, prandaj ne vendin e kemi aty, por me përkushtim duhet punuar dhe asgjë e parealizueshme nuk mund të jetë. I dashur Edi, ne mendojmë që jemi një hap para anëtarësimit dhe pak duhet, edhe më fort ta ngresh zërin, ashtu siç e ke ngritur deri më tani. Ne të tjerët nuk na ke pasur, por na ke në krah”.

Samiti i Diasporës, Osmani: Mërgata shqiptare, simbol i forcës së palëkundur të popullit tonë. I qëndroi besnike rrënjëve

Në një ditë të rëndësishme si Samiti i Diasporës nuk mund të mungonte fjala e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Mërgata jonë është sublimim i përpjekjeve të gjata dhe të kahershme për liri, për pavarësi dhe shtetndërtim”, tha ajo në nisje të fjalës së saj

“Mërgata shqiptare është simbol i qëndrueshmërisë, i forcës dhe shpirtit të palëkundur të kombit dhe popullit tonë”, shtoi ajo.

Presidentja Osmani theksoi ndër të tjera se mërgata shqiptare ka luajtur një rol të rëndësishëm në secilin shtet ku jetojnë apo veprojnë shqiptarët duke arritur në këtë mënyrë suksese.

“Mërgata jonë ka luajtur një rol të rëndësishëm në shtetet ku jeton dhe vepron duke vepruar me aftësitë, njohuritë dhe përkushtimin e palëkundur të punës në fushat e ndryshme. Pavarësisht sfidave, mërgata shqiptare ka mbetur thellësisht e lidhur me atdheun duke i mbetur besnike rrënjëve”, tha ajo.

Osmani theksoi se në Kosovë  në vitet ’90, mërgata shqiptare mbajti gjallë sistemin paralel të kulturës dhe arsimit.

“Mërgata mbajti gjallë idenë politike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Secili mërgimtar ishte një ambasador i Kosovës në hapjen e së vërtetës dhe të drejtën tonë për liri dhe pavarësi”, u shpreh ajo.

Begaj: Shqiptarët jashtë vendit duhet të kenë mundësinë e votës, Diaspora duhet të ketë përfaqësim politik

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, tha në Samitin e Diasporës se komunitetet e shqiptarëve kudo nëpër botë i kanë Shqipërisë një shtrirje globale më të madhe se përmasat e saj. Sipas tij, diaspora është promotorja më eficente e kulturës dhe identitetit shqiptar. Begaj theksoi se Shqipëria nuk e ka luksin ta neglizhojë Diasporën.

“Ju, në rrugën tuaj të mbushur me sakrifica, nuk e keni harruar kurrë Shqipërinë. Secili, sipas mundësive ka dhënë gjithmonë një kontribut për kombin. Shqipëria nuk e ka luksin ta neglizhojë diasporën. Nuk duhet ta shohim atë si pjesë të shkëputur, por si zgjatim të natyrshëm të kulturës dhe identitetit tonë. Historia na mëson se vendi ynë vetëm ka përfituar nga bijtë e saj jashtë”, tha Begaj.

Sipas tij, vetëm kur shqiptarët që jetojnë e punojnë jashtë të ndihen pjesë e vendit të tyre, atëherë Shqipëria do të arrijë potencialin e saj. Si hapin e parë për këtë renditi votën. Po ashtu, theksoi se diaspora duhet të ketë përfaqësim politik për t’i dhënë zë prioriteteve të shqiptarëve jashtë vendit.

“Në këtë kuptim ka disa hapa të domosdoshëm për t’u ndërmarrë. Pikësëpari është vota. Qytetarët shqiptarë jashtë vendit duhet të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar pa pasur nevojë të vijnë në Shqipëri. Ata duhet të votojnë, sipas një modeli që shumë vende të tjera e aplikojnë me sukses. Kjo do të kthejë diasporën në aktore të drejtpërdrejtë të konfigurimit politik e administrativ në Shqipëri. Së dyti, diaspora duhet të këtë përfaqësim politik që do t’i japē zë prioriteteve të shqiptarëve jashtë vendit. Të gjithë këto janë procese që nuk mund të përmbushen sa hap e mbyll sytë, por nuk janë objektiva të paarritshëm dhe mbi të gjitha janë nisma të domosdoshme që ne si shqiptarë të jemi bashkë edhe pse larg”, tha Begaj.

Presidenti theksoi se e ka detyrim ta thotë se “ju jemi borxhlinj për kontributin e madh që ju jepni”.

Kontributi sipas tij është i pazëvendësueshëm në aspektin e remitancave, por jo vetëm.

“Prandaj vetëm bashkë mund ta bëjmë Shqipërinë të zhvilluar, faktor vendimtar në rajon dhe anëtare të denjë në familjen evropiane. Kjo do të jëtë pasuria më e madhe e secilit dhe kapitali që duhet t’i transmetojmë brezave të rinj në mënyrë që historia jonë të kthehet në histori suksesesh e ëndrrash të bëra realitet sa në vend aq dhe jashtë tij”, përfundoi ai.

Hasani: Dora e shtetit shqiptar do të jetë gjithmonë e shtrirë ndaj Diasporës

 

Samiti III i Diasporës nisi punimet këtë të enjte. I pari që mbajti një fjalë ishte ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.

Ai theksoi se salla e mbushur e Pallatit të Kongreseve është mesazhi më i qartë dhe i bukur i bashkimit të shqiptarëve. Theksoi se ky samit vjen në një moment të paprecedentë historik për shqiptarët.

“Kurrë më parë nuk kanë gëzuar shqiptarët një reputacion më të mirë se sot”, theksoi ai.

Por po ashtu nënvizon se e tashmja është një moment sfidash pasi rajoni përballet me pasiguri.

“Ne shqiptarët kemi ditur të konsolidojmë rolin tonë si garantë të orientimit euro-atlantik të rajonit. Kemi ditur po ashtu të promovojmë një model bashkëjetese e dialogu. Kjo ka bërë që ne të fitojmë respektin e admirimin e aleatëve, miqve e partnerëve”, tha Hasani.

Sipas tij, diaspora ka një rol të pazëvendësueshëm në avancimin e kauzës kombëtare.

Ajo që mund të bëjmë pa vëllezërit e motrat tanë nëpër botë, është fare pak. Diaspora ka rol të pazëvendësueshëm në avancimin e kauzës kombëtare. I detyrohemi një borxh të pashlyeshëm bashkatdhetarëve tanë që jetojnë jashtë kufijve. Samiti, një moment për të eksploruar bashkarish ide e forma konkrete bashkëpunimi. Rrjeti i përfaqësive të Shqipërisë, do të jetë gjithmonë dora e shtrirë e shtetit shqiptar ndaj diasporës

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit