Ferri i Greqisë ka lënë pas një tronditje të thellë që i kapërcen kufijtë e shtetit helen. Por, skëterra shokuese e zjarreve ngre dhe shumë pyetje.
Burime pranë Ministrisë greke të Mbrojtjes së Qytetarëve thanë për gazetën “Kathimerini” se gjatë hetimit mbi zjarret që përfshinë zonat e Lagonissi dhe Anavysos, në lindje të kryeqytetit, u zbuluan prova që tregonin përfshirjen e zyrtarëve qeveritarë në përpjekjet për riklasifikimin dhe shfrytëzimin e tokës së djegur.
Hetuesit arritën të gjejnë dokumente që vërtetojnë se zona ku bëjnë pjesë edhe 690 hektarë pyje me pisha, ishin djegur qëllimisht përpara 10 vjetësh. Një prokuror në Zakinthos, ku verën e kaluar shpërthyen një numër rekord zjarresh, plot 167, duke shkatërruar 3 000 hektarë pyje, urdhëroi muajin që shkoi nisjen e një hetimi.
Qëllimi i tij është që të ekspozojë një rrjet të gjerë grabitësish të tokave, të cilët veprojnë në ishullin e konsideruar një prej destinacioneve më popullore të verës. Deri tani janë ngritur akuza kundër 5 personave të dyshuar. Hetuesit po kështu besojnë se zjarret e vitit 2017 pranë Pyrgosit, ku përpara një dekade vdiqën nga zjarret 36 vetë, janë nisur nga kultivuesit e paligjshëm të kanabisit, të cilët kanë tentuar të fshehin gjurmët e akvititetit të tyre kriminal.