Ministri i Jashtëm i Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC), Tahsin Ertuğruloğlu tha se “Zyrtarët e BE-së me deklaratat e tyre injorojnë vullnetin e popullit turk qipriot”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim, Ertuğruloğlu reagoi ndaj deklaratës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen e cila tha se “Nuk do të pranojmë kurrë zgjidhjen me dy shtete (në Qipro)”. Presidentja e KE-së këtë deklaratë për Qipron Turke e dha në një konferencë për media pas Samitit të Liderëve që u zhvillua më 24-25 qershor në kryeqytetin e Belgjikës, Bruksel.
“Zyrtarët e Bashkimit Evropian me këto deklarata të tyre injorojnë vullnetin e popullit turk qipriot”, deklaroi ministri Ertuğruloğlu duke dënuar deklaratën e Von der Leyen.
Ai tha se ky pozicion i BE-së është edhe një shembull i ri i mbështetjes pa kushte ndaj administratës së Qipros greke.
“Ky vendim i BE-së nuk është befasues, pasi ajo nuk ka përmbushur as edhe një premtim të vetëm që ka dhënë për popullin turk qipriot. Ky qëndrim tregon se BE-ja është e kënaqur nga vazhdimi i situatës aktuale në ishull. Çdo marrëveshje në ishull do të jetë mes palëve të Qipros Turke dhe Qipros Greke. BE-ja sigurisht do ta kuptojë këtë fakt”, tha Ertuğruloğlu.
Më tej ai rikujtoi se BE-ja anëtarësoi shtetin qipriot grek si përfaqësues të plotë të Qipros, duke injoruar kriteret e anëtarësimit. Ertuğruloğlu theksoi se nuk do të pranojnë kurrë qëndrimin agresiv dhe të shëmtuar që BE-ja ka treguar për të mbuluar këtë turp dhe se ata do të mbrojnë deri në fund politikat e tyre shtetërore për sovranitet dhe barazi ndërkombëtare.


