Zyrtarët holandezë kanë një përgjigje për Ramën e Ruçin

Mos i humb

Deklaratat e kryeministrit Edi Rama dhe të kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi lidhur me zyrtarët holandezë që erdhën në Shqipëri me një mision faktmbledhës kanë bërë jehonë në mediat holandeze.

De Telegraaf thotë se zyrtarët holandezë nuk u vlerësuan gjatë vizitës. “Politikanët e Hagës donin të shihnin me sytë e tyre nëse vendi i Ballkanit Perëndimor ishte gati për t’iu bashkuar BE-së”, thotë media holandeze.

I pari që ironizoi ishte Edi Rama. “Më vjen për të qeshur kur vijnë delegacione për të mbledhur fakte, më takojnë mua dhe ca deputetë dhe mikun tim të shtrenjtë me të cilin na bashkon një rrugë e ndryshme; dashuria për Holandën, Lulzim Bashën dhe mbledhin fakte. Çfarë lloj faktesh mund të mblidhen në një gjysmë dite, ndërkohë që Komisioni Europian ka një ushtri ekspertësh që hanë fakte, pinë fake dhe dëgjojnë vetëm fakte?!”, deklaroi Kryeministri.

Në të njëjtën linjë ishte edhe Gramoz Ruçi, që u shfaq në një bashkëbisedim me gazetarët, më shumë unik se sa të rrallë. “Nëse është një njollë e zezë e hashashit në Shqipëri, fara vjen nga Holanda, teknologjia vjen nga Holanda, tregu nga Holanda se është legalizuar. Unë nuk akuzoj Holandën, por pres që ajo të vlerësojë përpjekjet tona”, u shpreh kreu i Kuvendit.

Kryeparlamentari i dërgoi gjithashtu një mesazh Europës në ditën e saj, në lidhje me shqetësimet e shprehura, për atë që disa vende anëtare e përkufizojnë si “kriminaliteti shqiptar”.

“Mua mund të më thonë edhe nostalgjik, por ne nuk kishim drogë, as korrupsion e as prostitucion. Këto fenomene nuk i çuan shqiptarët në Europë, i gjetën mes europianëve”, shtoi ai.

Por kryetari i delegacionit holandez në Shqipëri, Malik Azmani e ka një përgjigje duke e quajtur të dobishme vizitën: “Ne jemi të vetëdijshëm për faktin se në Shqipëri është prekur një akord i ndjeshëm nga pyetjet që kemi bërë”.

Shkrimi më pas vijon se megjithatë se në delegacionin holandez ka shqetësime të mëdha për lajmet e fundit nga Shqipëria. “Prokurori që shqyrtoi një ish ministër u la mënjanë. Dhe vëllai i një ministri i cili është dënuar në Itali për një çështje droge nuk është ekstraduar sipas medias lokale. Dhe më herët qeveria holandeze ka thënë se Shqipëria nuk është gati për të çelur negociatat”, thuhet në shkrimin e De Telegraaf./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit