A ngriti aktakuzë prokurori Blakaj për listat e veteranëve? Flet Agim Çeku

Mos i humb

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Elez Blakaj, i cili po hetonte listat e fryera të veteranëve të UÇK-së dha të martën dorëheqje nga ky post.

Para se të dorëhiqej, Blakaj u raportua se kishte dorëzuar tek Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku, aktakuzën për të dyshuarit me maniplulime të listave të veteranëve.

Aty bënin pjesë figura të profilit të lartë të UÇK-së, duke filluar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Xhavit Jashari dhe Agim Çeku.

Mirëpo ky i fundit po e mohon se është ngritur ndonjëherë aktakuzë ndaj të lartëpërmendurve.

Për lajmi.net Çeku tha se nuk ka asnjë informacion që është ngritur ndonjë aktakuzë, megjithëse bëri të ditur se i gjithë Komisioni Qeveritar për Statusin e Veteranëve është intervistuar nga Blakaj.

“Unë s’kam kurrfar informacioni se është ngrit ndonjë aktakuzë, krejt çka mund të them është se na ka intervistu prokurori Blakaj të gjithë komisionin”, tha Çeku.

E pas kësaj, zëvendësministri i FSK-së thotë se nuk kanë pasur më ndonjë kontakt me prokurorin Blakaj.

“Intervistimet kanë nisur duke filluar nga unë dhe të gjithë emrat aty që janë dalë në listë, dhe pas intervistës s’kemi pasë as informacion as kontakt ose diçka tjetër tjetër, ajo ka qenë e vetmi kontakt që kemi pasë me prokurorin Blakaj”, ka përfunduar Çeku.

Blakaj dha dorëheqje të martën për arsye individuae. Më vonë Kryeprokurori i Shtetit bëri të ditur se i njëjti kishte pasur kërcënime përmes Facebookut mirëpo që nuk kishte pranuar të kishte mbrojtje të afërt ngase posedonte armë me leje./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit