Afganistani shënon Bajramin e parë në armëpushim pas shumë viteve

Mos i humb

 

Afganistani filloi festimet e Fitër Bajramit në paqe, pasi palët ndërluftuese në vendin e rrënuar nga konflikti kanë arritur një armëpushim në konfliktin 17-vjeçar.

Duke u adresuar para një tubimi në pallatin presidencial Arg pas namazit të Bajramit, presidenti Mohammad Ashraf Ghani tha se qeveria është e gatshme të ndërmarrë hapa të mëtejshëm drejt procesit të paqes pas mbarimit të armëpushimit tetëditësh të njëanshëm dhe të pakushtëzuar të shpallur javën kaluar nga qeveria. Ai shprehu dëshirën që armëpushimi t’i japë fund gjakderdhjes.

“Ka mbështetje dhe konsensus të fortë mbi procesin e paqes midis afganëve. Kombi është i gatshëm të vazhdojë mbështetjen për paqe me çdo kusht dhe qeveria është e gatshme të ndërmarrë hapa në këtë drejtim sipas vullnetit të kombit”, tha Ghani.

Në përgjigje të armëpushimit të qeverisë, një armëpushim treditor i talebanëve gjithashtu hyn në fuqi sot. Në mesazhin e tij të ditës së Bajramit, udhëheqësi i talebanëve Hibatullah Akhundzada bëri thirrje për bisedime të drejtpërdrejta me SHBA-të, duke anashkaluar qeverinë e Kabulit.

“Nëse zyrtarët amerikanë me të vërtetë besojnë në një zgjidhje paqësore për situatën e vështirë në Afganistan, ata duhet të paraqiten drejtpërdrejt në tryezën e negociatave”, tha ai, duke shtuar se gabimi më i madh i amerikanëve është se ata i qasen çdo problemi me “kokëfortësi”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit