Ambasadorët, shëtitje turistike në Çarshinë e Shkupit

Mos i humb

Ambasadorët e vendeve të shumta, përfshirë vendet e Bashkimit Evropian (BE) dhe SHBA-ve, kanë realizuar një shëtitje turistike në Çarshinë e Shkupit nën patronazhin e Sekretariatit për Çështje Evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe Qytetit të Shkupit.

Para fillimit të shëtitjes turistike, të pranishmëve iu drejtuan zv/kryeministri për Çështje Evropiane në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani dhe zv/kryetari i Qytetit të Shkupit, Enver Maliqi.

Zv/kryeministri Osmani tha se ditëve të fundit, në fokus të opinionit ishte analiza e konkluzioneve nga Këshilli i BE-së, ku Maqedonia e Veriut nuk mori datë për fillim të bisedimeve duke theksuar se “pritjet e qytetarëve dhe pritjet tona ndoshta ishin ndryshe”.

“Ajo çfarë është e qartë, ajo çfarë dua të shfrytëzoj këtë mundësi të shpreh, është që njerëzit, qytetarët duhet të jenë krenarë për atë që kemi bërë. Për raportin më të mirë të mundshëm që ka marrë vendi nga Komisioni Evropian”, tha Osmani, duke shtuar se vendimi për caktimin e datës për bisedime duhet të merret në tetor.

Zv/kryetari i Qytetit të Shkupit, Enver Maliqi, tha se ka kënaqësinë të jetë mikpritës i kësaj shëtitjeje “në pjesën më të bukur të Shkupit”.

“Jam veçanërisht i kënaqur që së bashku do të kemi mundësinë të shohim qytetin tonë siç nuk kemi pasur mundësi më parë. Ta shohim atë si një destinacion tërheqës turistik si dhe kryeqytet i një shteti anëtar të ardhshëm të Bashkimit Evropian”, tha Maliqi.

Më pas, zyrtarët bashkë me korin diplomatik vizituan Çarshinë e Shkupit, ku fillimisht ndaluan te sheshi “Skënderbeu”. Grupi gjatë gjithë kohës ishte i shoqëruar nga udhëheqësi turistik, i cili fliste rreth historisë së monumenteve që u vizituan.

Në mesin e ambasadorëve, të pranishëm ishin u.d. ambasadorja e SHBA-ve në Shkup, Micaela Schweitzer-Bluhm, ambasadori i Francës në Shkup, Christian Thimonier, ambasadorë të tjerë të vendeve të rajonit dhe BE-së.

Ambasadorët vizituan monumente të shumta të periudhës osmane, përfshirë “Suli Anin”, “Kapan Anin”, Bezistenin e Çarshisë së Shkupit ndërsa patën mundësinë të mësojnë historikun e monumenteve që ndodhen në Çarshi.

Në fund, ambasadorët ndaluan në një kafeteri në Çarshinë e Shkupit, ku u freskuan me pije të ndryshme.

Organizatorët theksuan se qëllimi i kësaj shëtitjeje që u organizua nën moton “Shkupi në hartën e Evropës”, është që të promovojë kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut si një destinacion turistik.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit