Analiza nga “Financial Times”: koalicioni populist në Romë ekspozon brishtësinë e monedhës së përbashkët

Mos i humb

Italia përbën një test për eurozonën, përsëri!

Peripecitë e fundit të Italisë kanë zgjuar kujtime të parehatshme të krizës së borxheve në eurozonë, që nisi në vitin 2010. Këtë javë, vlera e bonove u dridh, dora e gjatë e Brukselit dhe shtetet europiano-veriore u fajësuan, dhe pati spekulime për perspektivën e angazhimit të koalicionit qeveritar ndaj euros.

Presioni u lehtësua që kur lëvizja anti-rrymë, “Pesë Yjet”dhe e djathta ekstreme, Liga, morën miratimin presidencial për të formuar një qeveri populiste. Por kriza që ka përfshirë vendin prej gati tre muajsh, nuk ka mbaruar. Dhe as është Italia e vetme në këtë turbullirë. Pas një skandali të gjatë korrupsioni që goditi partinë popullore të qendrës së djathtë, Mariano Rajoy i bë kryeministri i parë spanjoll në historinë demokratike të vendit që rrëzohet nga parlamenti.

Spanja nuk është Itali. Ekonomia spanjolle po sheh rritje më të fortë, borxhi është më i ulët dhe asnjë nga partitë kryesore nuk e vë në dyshim anëtarësinë në eurozonë. Pavarësisht të gjithave, perspektiva e një qeverie të dobët të pakicës që qëndron në pushtet me ndihmën e një koalicioni të larmishëm nacionalistësh rajonalë dhe leftistësh radikalë, përforcon ndjesinë se paqëndrueshmëria po rikthehet në Europën Jugore.

Edhe pse italianët do ta korrigjonin me të drejtë krahasimin, ekzistojnë disa ngjashmëri me Greqinë. Dobësitë serioze afatgjata me produktivitetin e ulët dhe barrën e lartë të borxhit kombëtar, po përkeqësohen nga kërkesa e pamjaftueshme, kjo e fundit e lidhur pjesërisht edhe me anëtarësinë në euro.

Që kur kriza në eurozonë nisi të zbehej në vitin 2012, shumë pak është bërë për të ndrequr problemet e fshehura të monedhës së përbashkët – sistemi i fragmentarizuar bankar, kapaciteti i papërshtatshëm i shpëtimit nga kriza, dhe mungesës së fleksibilitetit fiskal për të kompensuar tronditjet asimetrike.

Gjermania, mbështetur nga një koalicion informal shtetesh veriore, kundërshton çdo gjë që duket si buxhet eurozone me ndarje të rrezikut apo buxhet i madh kundër-ciklik. Pavarësisht planeve të mëdha për reformimin e eurozonës nga Emmanuel Macron, presidenti francez, bisedimet në një samit në fund të muajit ka gjasa të prodhojnë pak rezultate. Për fat të keq, mënyra sesi u shpalos kriza politike e Italisë, e bën ndryshimin e shpejtë dhe fundamental të qeverisjes së euros më pak sesa më shumë të mundshëm.

Asnjë nga dy partitë që formuan qeverinë në Itali nuk fushatoi për të lënë eurozonën. Në ditët e fundit, Liga e ka distancuar veten nga kjo ide dhe kryeministri, Giuseppe Conte, ka caktuar një ministër të ri Financash që është më pak armiqësor ndaj BE-së sesa kandidati i parë, refuzimi i të cilit nga ana e presidentit nxiti trazirat. Megjithatë, gjasat mbeten që administrata e re të hyjë në një përplasje me Brukselin për masat strikte të monedhës së përbashkët dhe qëndrimin fiskal që kërkohet prej kësaj.

Kjo vetëm sa do të amplifikojë frikërat e shteteve veriore, anëtare të BE-së. Kjo është një situatë fatkeqe, pasi në të vërtetë, ka liri veprimi në kornizën fiskale që Italia të ndërmarrë një qëndrim më stimulues. Në të vërtetë, masat për kërkesën dhe ofertën janë komplementare, jo zëvendësuese.

Nëse Italia kërkon të vazhdojë rregullimin që bëri progres të kufizuar nën qeverinë e mëparshme, në mënyrë që të nxisë rritjen ekonomike afatgjatë, do të ketë nevojë për më shumë kërkesë që të shmangë efektet e pashmangshme rrudhëse.

Sidoqoftë, për të shmangur ndonjë rënie të re të çmimit të bonove, qeveria ka nevojë të angazhohet ndaj anëtarësisë në eurozonë, me qartësi absolute.

Nga ana e tyre, gardianët e monedhës së përbashkët nuk kanë arritur të riparojnë çatinë, ndërkohë që ndrinte dielli, dhe tani shohin mbërritjen e stuhive nga zyrat e tyre të brishta. Edhe sikur në këtë rast të jetë shmangur katastrofa, brishtësia ekonomike dhe politike e eurozonës mbeten shumë të dukshme.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit