Bullgaria kërkon të ringjallë centralin bërthamor me ndihmën ruse

Mos i humb

 

 

Presidenti i Bullgarisë Rumen Radev të hënën mirëpriti përfshirjen potenciale të Rusisë në ringjalljen e projektit të centralit bërthamor Belene në lumin Danub, raportojnë mediat vendase.

Radev u prononcua pas takimit me kryeministrin rus Dmitry Medvedev në Moskë, gjatë vizitës së tij të parë në vend si president.

Qeveria bullgare vendosi javën e kaluar të kërkojë miratimin e parlamentit për të hequr ndalesën për zhvillimin e projektit të uzinës prej 2.000 megavatësh, i cili u braktis në vitin 2012 pasi nuk arriti të tërheqë investitorë.

Duke theksuar se në Bullgari janë rihapur diskutimet mbi projektin Belene, presidenti Radev tha se Rusia do të jetë e informuar rreth zhvillimeve në “ringjalljen e projektit që kërkon pjesëmarrjen ruse”, njofton agjencia bullgare e lajmeve (BTA).

Radev tha se Rusia ka qenë gjithmonë një “partner strategjik i energjisë” për Bullgarinë si furnizues i gazit natyror, naftës dhe karburantit bërthamor dhe si pjesëmarrës në mirëmbajtjen dhe përmirësimin e objekteve energjetike.

Kompania shtetërore ruse Atomstroyexport ka marrë një kontratë për ndërtimin e centralit bërthamor Belene në vitin 2008.

Radev tha se gjatë takimit me Medvedev-in, të dy diskutuan gjithashtu mbi mundësinë e furnizimit të drejtpërdrejt me gaz nga Rusia nëpërmjet Detit të Zi, duke u bërë thirrje qeverive përkatëse të të dy vendeve që të rishikojnë këtë perspektivë.

Në dhjetor 2014, Rusia anuloi projektin e tubacionit të gazit “Rrjedha Jugore”, e cila do të transportonte gazin natyror rus në Bullgari nën Detin e Zi, duke përmendur presionin e BE-së gjatë krizës në Ukrainë.

Në një intervistë me të përditshmen ruse “Kommersant” të botuar të hënën, Radev dha detaje shtesë rreth kësaj çështjeje, duke thënë se Bullgaria ka nevojë për furnizime të drejtpërdrejta me gaz përmes Detit të Zi dhe një tubacion i tillë nuk do të ndryshonte nga tubacioni i propozuar i “Rrjedha Veriore II” nën Detin Baltik, citon të këtë thënë “Sofia Globe”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit