Dimitrov: Maqedonia do të vazhdojë të jetë pranë Turqisë në luftën kundër terrorit

Mos i humb

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, vlerësoi se synimi për rritjen e vëllimit të tregtisë dypalëshe me Turqinë në një miliard dollarë është realist.

Dimitrov u adresua në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij turk Mevlüt Çavuşoğlu, gjatë vizitës së tij në Ankara.

Shefi i diplomacisë së Maqedonisë deklaroi se kjo është vizita e tij parë zyrtare në Ankara.

“Fjala ‘bereqet’ është fjalë e cila përdoret edhe në gjuhën maqedonase. Mendoj se kjo është një shenjë shumë e mirë. Derisa isha duke ardhur në ndërtesën e ministrisë e jashtme binte borë. Kjo ka kuptimin e bereqetit edhe për popullin turk, edhe atë të Maqedonisë”, tha Dimitrov.

Mbështetje luftës së Turqisë me terrorin

Kryediplomati maqedonas theksoi se miqësia e afërme dhe e thellë nuk duhet treguar vetëm me fjalë, por edhe me vepra.

“Maqedonia çdo herë do të vazhdojë të jetë pranë Turqisë në luftën e saj me terrorin. Në këtë kontekst, edhe në kuadër të detyrimeve tona kombëtare edhe ndërkombëtare, kemi edhe dëshirë edhe vullnet politik për t’i ndihmuar Turqisë”, u shpreh ai.

Dimitrov potencoi se bashkëpunimi dypalësh ekonomik duhet të rritet edhe më tej.

“Mendoj se synimi për rritjen e vëllimit të tregtisë dypalësh me Turqinë në një miliard dollarë është realist. Në rast se shikojmë në bilancin tregtar aktual, mund të shihet se ka një ekualibër në favor të Turqisë. Gjersa arrijmë në këtë synim, nuk do ta zvogëlojmë eksportin e Turqisë, por do të mundohemi të arrijmë synimin duke e rritur eksportin e Maqedonisë”, tha ministri Dimitrov.

Falënderim Turqisë për mbështetjen e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO

Dimitrov veçanërisht e falënderoi Turqinë për mbështetjen e dhënë për vendin e tij në çështjen e anëtarësimit në NATO.

“Ne si shtet i Maqedonisë vendosëm që pas kësaj të marrim përgjegjësinë e ardhmërisë sonë. Vendosëm të ballafaqohemi me problemet tona dhe të hedhim hapa për zgjidhjen e këtyre problemeve. Derisa në rajonin e Ballkanit ka çështje të pazgjidhura, nuk mund të jemi vend me mirëqenie. Maqedonia do të vazhdojë të punojë me Turqinë dhe vendet e tjera të cilat dëshirojnë një vend të qëndrueshëm, të begatë dhe miqësor në Ballkan”, tha Dimitrov.

Dimitrov marrëdhëniet me Turqinë i përshkroi me fjalën “romantike”, duke theksuar se “marrëdhëniet mes dy vendeve janë aq të afërta, aq të mira, saqë nuk ndikohen shumë nga ideologjitë aktuale politike.

“Mes popujve ka një miqësi aq të thellë, saqë përmirësimi i mëtejshëm i tyre është shumë i vështirë. Por, duke u fokusuar edhe më shumë, ne mund t’i bëjmë edhe më të mira”, deklaroi Dimitrov.

Stabiliteti në Ballkan

“Ne si Maqedoni asnjëherë nuk do ta harrojmë mbështetjen e dhënë nga Turqia për objektivat tona më të rëndësishme strategjike”, tha Dimitrov, duke shtuar se kanë gëzuar mbështetjen e Turqisë që nga dita e parë e pavarësisë së Maqedonisë.

“Çështja e stabilitetit në Ballkan është një ndër temat që të dyja vendet i kushtojnë rëndësi. Ne si politikanë ndonjëherë përballemi me vështirësi në aspektin e rritjes së mëtejshme të marrëdhënieve ekonomike. Mendoj se mund ta zhvillojmë këtë duke u fokusuar në fusha të caktuara. Veçanërisht, dëshirojmë të zhvillojmë bashkëpunimin tonë në sferën e arsimit. Kemi edhe plane në lidhje me këtë”, tha Dimitrov, duke nënvizuar se mes Turqisë dhe Maqedonisë ka shumë fusha me interes të përbashkët.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit