Erdogan: Izraeli nuk ka aspak të drejta mbi Golanin e pushtuar

Mos i humb

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se Izraeli nuk ka të drejta mbi rajonin e pushtuar të Lartësirave të Golanit.

“OKB ka miratuar rezoluta në lidhje me Lartësirat e Golanit. Sipas tyre, Izraeli nuk ka asnjë grimcë të drejte në Lartësirat e Golanit, tha Erdoğan në një miting elektoral në Konya.

Këshilli i të Drejtave të Njeriut i OKB-së sot në Gjenevë miratoi një rezolutë e cila kundërshton pushtimin izraelit mbi Lartësirat e Golanit dhe i bën thirrje Izraelit të respektojë të gjitha rezolutat e OKB-së.

Rezoluta, e parashtruar nga Pakistani, u miratua në ditën e fundit të seancës së 40-të të këshillit në Zyrën e OKB-së në Gjenevë.

Në votimin e kryer pas fjalimeve, rezoluta u miratua me 5 vota të përmbajtura, 16 kundër dhe 26 pro nga gjithsej 47 anëtarë.

Zhvillimet dhe reagimet e Turqisë vijnë një ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se “pas 52 viteve, për SHBA-në ka ardhur koha e plotë për të njohur plotësisht sovranitetin e Izraelit mbi Lartësirat e Golanit”.

Izraeli prej kohësh ka nxitur Washingtonin të njohë pretendimet e tij mbi rajonin e pushtuar nga Siria gjatë Luftës Gjashtëditore të vitit 1967.

Izraeli okupoi rreth dy të tretat e Golanit pas luftës. Ai më pas aneksoi territorin zyrtarisht në vitin 1981, një veprim i kundërshtuar njëzëri në atë kohë nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Rezoluta e sotme në mënyrë të veçantë specifikon nevojën që Izraeli të respektojë Rezolutën 497 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të miratuar në vitin 1981, e cila e cilëson si të paligshëm okupimin izraelit mbi territoret palestineze dhe Lartësirat e Golanit.

Rezoluta po ashtu nënvizon që Izraeli duhet të lejojë që sirianët në Lartësirat e Golanit të vizitojnë familjet në atdheun e tyre, të sigurohet qasja e organizatave ndërkombëtare në rajon dhe të lirohen të gjithë të burgosurit sirianë, përfshirë edhe ata që vuajnë tashmë 30 vite në burgjet izraelite.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit